65 kg heroinë e fshehur nën tokë është sekuestruar nga policia greke, ndërsa janë arrestuar 6 persona, midis të cilëve edhe dy shqiptarë.
Sipas policisë, midis të arrestuarve janë një 21 dhe një 19-vjeçar shqiptar, ndërsa është ende në kërkim një 32-vjeçar po shqiptar dhe një 29-vjeçar grek.
Droga sipas mediave greke sillej nga Shqipëria apo Turqia, ndërsa shpërndahej në shumë zona të vendit. Ajo u gjet e varrosur me kujdes në pjesën e jashtme të një shtëpie në Keratea, ku u gjet gjithashtu edhe 113 kg pluhur i panjohur, i destinuar për tjetërsimin e drogës.
Mediat greke shkruajnë se organizata funksiononte si “familje” në biznesin e heroinës duke besuar te njëri-tjetri. Nga hetimet ka rezultuar se drejtues i organizatës kriminale ishte 32-vjeçari, i cili merrej me importin, ruajtjen, përzierjen dhe më pas shpërndarjen e heroinës. Nga ana tjetër, 21-vjeçari shqiptar dhe një 29-vjeçar tjetër ishin përgjegjës për gjetjen e klientëve, për transportin dhe shpërndarjen e heroinës në territorin greke.
Përveç drogës, policia greke ka sekuestruar edhe 95 320 euro, peshore elektronike, pajisje laboratorike, miksera, sita, kamera sigurie, 13 pajisje të lëvizshme, dy laptopë, etj.
Përllogaritet se përfitimi ekonomik i grupit është në vlerën e mbi 700 mijë eurove.