Deputeti demokrat Oerd Bykykbashi, në emisioni Opinion, ka deklaruar se kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, duke paraqitur nje hartë po mashtron publikisht për ndërtimet në “Velieren” e Durrësit.
Sipas Bylykbashit, në këtë zonë po bëhet një ndërtim tërësisht i kundërligjshëm dhe të gjithë ata që kanë hedhur firmën për këtë projekt do të mbajnë përgjegjësi penale.
Sipas deputetit demokrat, duhet të realizohet një sondazh, për të marrë vesh se çfarë kishte nën të. Ai tha se ne të gjithë e dimë se çfarë ka aty.
“Muri kuptohet, se kush ka dhënë firmën do ketë përgjegjësi penale në këtë histori. Është shumë e thjeshtë. Nëse do bëhej një sondazh minimal, sa mjaftoi vetëm pak gërmime për të dalë në sipërfaqe ato gjetje arkeologjike dhe sipas këtij dokumenti, ato duhej të pezulloheshin”, tha Bylykbashi.
Më tej, deputeti i PD-së, theksoi se nëse foto do zmadhohej, do vihej re se muri që i përket periudhës bizantine është shpuar nga sondat që po punojnë në ndërtimin e projektit “Veiliera”.





