Vizita e Kreut të partisë “Libra” sot në Durrës, e më konkretisht në kantierin e Velierës, ka ngjallur reagimin e kryebashkiakut Vangjush Dako.
Në statusin e tij në Facebook, Dako nënvizon disa herë përkufizimet gënjeshtar dhe mashtrues për ish-socialistin Blushi.
“Sa herë e dëgjoj këtë mashtrues më vjen keq për ata që gënjen me marifetet e tij prej gënjeshtari patologjik! Sepse unë e njoh mirë dhe e njoh prej kohësh dhe shyqyr hyj tek ata që nuk i ka mashtruar dot asnjëherë ky karagjoz që nuk merr vesh as nga puna, as nga ekonomia, as nga urbanistika” shkruan Dako në postimin e tij.
Ajo që të bën përshtypje se kryebashkiaku Dako reagon shumë rrallë në rrjetet sociale, por për Blushin ka reaguar sa herë që kreu i “Libra” ka ardhur në Durrës.
Profili i tij në Facebook përmban kryesisht lajmet për inagurimet, takimet etj ku Dako merr pjesë, njoftime këto të postuara nga stafi i tij.
Postimi i Vangjush Dakos
Përsëri sot Ben Blushi, ky MASHTRUES FIRMATO është marrë me mua dhe me kantierët e Durrësit. Ka ardhur njësoj si Basha për ta baltosur projektin e Velierës, në vazhdën e garës së tij me mashtruesin tjetër firmato Lulëzimin, se kush i ngjan më shume Saliut në baltosjen e Qeverisë së Edi Ramës.
Sa herë e dëgjoj këtë mashtrues më vjen keq për ata që gënjen me marifetet e tij prej gënjeshtari patologjik! Sepse unë e njoh mirë dhe e njoh prej kohësh dhe shyqyr hyj tek ata që nuk i ka mashtruar dot asnjëherë ky karagjoz që nuk merr vesh as nga puna, as nga ekonomia, as nga urbanistika.
A është e bukur apo e shëmtuar Veliera dhe a e vlen apo jo investimin, këtë nuk ka mbetur ta thotë një parazit social si Ben Blushi që nuk ka bërë asnjë punë në jetë dhe që kur ka qënë nja tre herë ministër i Nanos u komentua vetëm për skandalet e tij. Arkitekti dhe urbanisti i Velierës është i vlerësuar sot në botë dhe ndërton kryevepra në New York, Shanghai, Lugano, Milano e me radhë.
Ndërsa Blushi shet nëpër tezga librat mediokërr që shkruan për Qazim Sejdinin e për Edi Ramën. Megjithatë vlerësimet për punët e për investimet në Durrës i kanë bërë dhe do t'i bëjnë prapë qytetarët e Durrësit, ku librat e një mashtruesi firmato si Blushi as shiten as votohen.





