Super Teuta bën mrekullinë në ndeshjen e kthimit çerekfinale të Kupës se Shqipërisë. Pasi humbi në ndeshjen e parë në Shkodër ndaj Vllaznisë me shifrat 1-0, ne “Niko Dovana” Teuta e Maganit përmbys gjithçka në ndeshjen e kthimit duke arritur të marrë edhe kualifikimin për në gjysëm finale falë fitores 2-0 që mori mbrëmjen e sotme.
Ka qenë një ndeshje mjaft e luftuar nga të dyja skuadrat dhe pjesa e parë e saj u mbyll me rrjeta të paprekura pa shumë raste për shënim nga të dyja skuadrat.
Pjesa e dytë filloi më e ndezur, pasi durrsakët u hodhën totalisht në sulm për golin e avantazhit, me Vllazninë që më tepër mbrohej.
Kur ndeshja po i drejtohej fundit, vjen edhe goli i parë në të. Është Ardit Hila i cili në minutën e 82′ kalon Teutën në avantazh duke kthyer në gol një 11 metërsh të goditur saktë. Kaq mjaftoi dhe të gjithë menduan se ndeshja do të shkonte në shtesë, por durrsakët nuk u mjaftuan me kaq.
Në minutën e 84′ është Gerhard Progni i cili dyfishon shifrat me golin e tij duke shtangur shkodranët në këtë fund ndeshje. Goli i mesfushorit i dërgoi shifrat në 2-0 për Teutën që arrin të kualifikohet për në gjysëmfinalen e këtij turneu, ndërsa Vllaznia eleminohet duke qenë mjaft e pafat në këtë ndeshje kthimi.