Nëse shorti do të ishte disi më i lehtë për Shqipërinë në finalet e kampionatit Evropian 2016, ndoshta do të flisnim për kuota të tjera kualifikimi në diskutimin për kombëtaren kuqezi.

Por edhe pse luajmë përballë vendit oprganizator Francës, si dhe ekipeve pretendente si Zvicra e Rumania, ne do të luajmë shanset tona për të kaluar të paktën në përballjet direkte. 

Në këtë mendim kanë qenë Lorik Cana dhe Ermir Lenjani, dy futbollistët e Nantes që përfunduan në reportazhin e “Digisport” në Rumani. Lenjani tha se kush skuadër do të vrapojë më shumë do të vlerësohet, ndërsa Cana i la vend krahasimeve. “Ne besojmë se mund të shkojmë në fazën tjetër pasi duke konsideruar formatin, edhe vendi i tretë na çon përpara. Çdo gjë është e mundur, madje nuk e përjashtoj dhe një kualifikim të përbashkët të Rumanisë dhe Shqipërisë”, tha mbrojtësi Lorik Cana, për ekipet që luajnë mes tyre sfidën e fundit në grup, më 19 qershor.“Gjenerata e artë e futbollistëve si Haxhi dhe Popesku, rëndon shumë mbi brezin aktual të Rumanisë. Sigurisht ka hendek në cilësi pasi nuk duhet t’i kërkojnë të njëjtat gjëra si në vitin 1994. Por rumunët kanë lojtarë teknikë që janë të shpejtë me topin në këmbë dhe do të jenë pengesë e vështirë për këdo”, tha mbrojtësi i Nantes.