Italia është përzgjedhur nga Bordi i FIFA-s për realizimin e projektit ambicioz të aplikimit të teknologjisë në fushën e lojës. Që prej sezonit të ardhshëm, Serie A dhe Seri B do të ndryshojnë përgjithmonë pasi në fushë do të eksperimentohet “Video ndihmësi i arbitrit”. Presidenti i federatës, Carlo Tavecchio ka informuar dy ligat rreth sistemit VAR për të mbështetur instalimin e aparaturave të nevojshme pasi aplikimi i teknologjisë do të kryhet që në startin e sezonit të ri.

“Kemi qenë mes të parëve që kemi mbështetur aplikimin e teknologjisë në fushën e lojës. Besojmë se i kemi të gjitha mundësitë për të ofruar mbështetjen tonë në këtë eksperiment shumë të rëndësishëm që do të përmirësojë gjithë sistemin e arbitrimit ashtu siç ka ndikuar edhe sistemi “Goal Technology”", thekson kreu i Federatës Italiane të Futbollit.

Projekti që iu është prezantuar federatave parashikon dy faza, “offline” për sezonin 2016-17 dhe “live” për sezonin 2017-18. Sipas FIFA-s, video përsëritëse nuk mund të zgjidhë të gjitha rastet e diskutueshme në fushën e lojës por ideja kryesore është aplikimi pas golit dhe vlerësimi nga arbitrat nëse ka pasur faull, pozicion jashtë loje apo në rastet kur arbitri është në dyshim për një penallti dhe nëse duhet të nxjerrë ose jo kartonin e kuq. Në këtë projekt përjashtohen goditjet e dënimit jashtë zonës.

Gjithsesi, aplikimi i teknologjisë nuk do të jetë aspak i lehtë sepse episodet e dyshimta në asnjë moment nuk do të ndikojnë në ndalimin e përkohshëm të lojës. Në protokoll theksohet se mundësia e ndalimit të lojës do të vlerësohet vetëm nëse topi nuk është në një zonë të rëndësishme. Një tjetër opsion është edhe “Challenge” që do të thotë se trajnerët mund të kërkojnë verifikimin e pamjeve filmike. Shumë të panjohura por një gjë është e sigurt, ndeshjet do të jenë më të gjata se zakonisht.