Teksa jepte një intervistë për “Zërin e Amerikës”, kryeministri Rama u pyet sërish për retorikën e tij ndaj kandidatit për president të SHBA-së Donald Trump, dhe në përgjigjen e tij nuk ngurroi të përmendte me nota humori edhe rivalin e tij politik Lulzim Bashën. Rama tha se mes Trump-it dhe Bashës do të zgjidhte gjithmonë Bashën, pavarësisht se kreun e opozitës nuk do ta zgjidhte kurrë, në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye.
Gazetarja: Meqë jemi edhe te ky oborr dhe meqë ju keni folur shpesh për zotin Trump, edhe dje tek CNN International, desha të bëj një pyetje, vërtet ka pasur edhe nga udhëheqës të tjerë botërorë komente shqetësuese për retorikën e zotit Trump, për kandidaturën e tij, por mendoj se vetëm ndoshta presidenti meksikan ka qenë më i ashpër sesa ju, për shkak të retorikës së murit, çfarë ju shtyn të jeni kaq i ashpër?
Rama: Unë nuk besoj se jam i ashpër, unë besoj se në këtë pikë jam i vërtetë. Jam pyetur, jam përgjigjur, nuk është se kam ndërmarrë ndonjë fushatë. Sa herë që do të pyetem, do të përgjigjem dhe nuk dua të di fare se çfarë mund të thotë njëri apo tjetri. Unë besoj se ata të cilët në Shqipëri zgjedhin Trump-in përpara meje, pavarësisht diferencave që kanë me mua, janë për t’u mëshiruar. Unë midis Lulzim Bashës dhe Trump-it zgjedh gjithmonë Lulzim Bashën, pavarësisht se Lulzim Bashën nuk do ta zgjidhja kurrë, në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye, për asgjë. Por ama nuk është problemi im, nëse Lulzim Basha, apo cilido qoftë tjetër mes meje e Trump-it, zgjedh Trump-it, është problemi i tyre, unë nuk kam problem.





