Kina është duke përdorur numrin e madh të popullsisë për t’u bërë superfuqi botërore në futboll me 50 milionë lojtarë. Zyrtarët kinezë kanë parashikuar se kjo shifër mund të arrihet në mesin e këtij shekulli (2050) dhe planet e qeverisë kanë nisur të zbatohen në mbarë vendin. Sipas tabloidit britanik ‘The Sun’, Kinës i duhen 10 mijë trajnerë dhe 20 mijë akademi.

Federata Kineze e Futbollit thuhet se kërkon të ndërtojë rreth 70 mijë komplekse sportive në të gjithë vendin. Aktualisht, potenciali kinez në futboll duket se nuk i përgjigjet sukseseve që vendi ka arritur në disa sporte të tjera. Kina është pjesëmarrëse e rregullt në Lojërat Olimpike dhe fituese e shumë medaljeve, por suksesi i saj në futboll kulmoi në vitin 2002 kur u kualifikua për në Botëror.