Françeska Jaçe në një intervistë për revistën ‘Story’ ka folur rreth sherreve në të cilat është përfshirë pak kohë më parë.

Ajo ka treguar versionin e sherrit mes saj dhe ish-shoqes duke treguar edhe arsyet e këtij incidenti.

Konfuzion ka pasur në media për moshën tënde si fillim. Sa vjeçe je tashmë?

Unë jam vetëm 22 vjeçe, edhe pse në media ma kanë rritur pak moshën.

Një video ku shfaqeshe duke qëlluar në një videotekë ish-shoqen tënde, Katerina Beqo bëri xhiron e rrjeteve sociale. Çfarë të provokoi aq shumë sa të bëjë atë skenë, që të ktheu në qendër të vëmendjes publike?

Në radhë të parë nuk ishte qëllimi im që të isha në qendër të vëmendjes në këtë mënyrë, pasi kam kohë që jam shkëputur nga rrjetet sociale, nga jeta publike që nga pjesëmarrja ime në “Big Brother 5”. Gjatë gjithë kësaj periudhe jam munduar të jem sa më larg mediave dhe të shoh jetën time private, duke u kujdesur që të mos ma cenojë njeri. Sa për konfliktin fizik që keni parë në videon në fjalë ishte një lloj situate e pamenduar nga ana ime. Mund të them se jam penduar për atë që ka ndodhur, pasi nuk janë gjeste të bukura për më tepër për një person publik. Por dua të theksoj se jemi njerëz gjaknxehtë ndaj këto gjëra edhe ndodhin.

Vajza ishte mikeshë e ngushtë e jotja, çfarë interesash u prishën mes jush?

Vajza ka qenë shoqja ime për një farë kohe, por kemi pasur disa probleme më vonë sepse jo gjithçka shkon ashtu si duhet.

Ishit bashkë apo u takuat rastësisht në momentit e sherrit?

Jo nuk ishim bashkë, dhe ishte një konflikt i pamenduar.

Kush qëlloi e para?

E gjuajta unë e para.

Kishte ndodhur më parë një sherr i tillë mes jush?

Jo. Kemi pasur marrëdhënie të mira më parë. Nuk dua të flas më shumë për këtë çështje, edhe pse e di që shumë duan të dinë për atë konflikt.

U fol se ishte shtatzënë në momentin që e ke qëlluar. Ishe në dijeni?

Nuk di asgjë rreth këtij fakti, se nëse do të ishte shtatzënë barku do të ishte i dukshëm. Por siç e patë nga video barku i saj nuk dukej. Për më tepër kurrë s’do e qëlloja një femër shtatzënë se është kundër parimeve të mia. Jam femër vetë dhe s’do ja lejoja vetes në asnjë mënyrë diçka të tillë.

Deri në momentin para se videoja të publikohej askush s’dinte gjë për këtë sherr. Si e përjetove shpërndarjen rrufe në internet?

Të them të drejtën jam çuditur kur pashë veten edhe në ekran, aq sa lajmi për mua kishte eklipsuar madje edhe një vrasje të ndodhur ditën tjetër. Nuk e di pse duhet të merreshin kaq shumë me mua. Në fund të fundit ishte një sherr banal, dhe s’besoj se jam as e para dhe as e fundit që i ndodhin këto gjëra, pasi çdo njeri reagon në mënyra të caktuara gjatë një konflikti. E kam përjetuar shumë keq momentin pas videos që u shpërnda në internet dhe lajmeve të shumta ku thuhej: “Françeska kërkohet nga policia”. Nuk jam tipi problematik që jam përfolur.

Ke pasur më parë probleme me policinë?

Kam pasur një çështje më parë me policinë, por atë e shleva me shërbim social duke ndihmuar komunitetin. Këtë herë u trajtova si një “djalë i keq”, që sikur ç’kisha bërë. Normalisht e kam përjetuar shumë rëndë dhe jam trajtuar nga një psikologe pas shqetësimeve që më erdhën nga mediat. Tani ndihem pak më mirë psikologjikisht dhe ndaj vendosa ta jap në këtë moment intervistën time të parë për “Story”, edhe pse kanë qenë të shumta kërkesat nga gazetarët për të më intervistuar.

Qetësia jote ka humbur tashmë, si po e superon këtë zhurmnajë?

Kam dashur të qëndroj e izoluar, por shoqëria më ka ndihmuar shumë. Nuk janë ditë të mira për mua përderisa nuk shkoj dot në një lokal se reagojnë njerëzit direkt: “Ua kjo vajza, çfarë bën ti në lokalin tonë?!” Jam munduar të dal disa here për të shpëtuar nga gjendja e mërzisë. Disa ditë shkova në Vlorë për t’u qetësuar pranë detit, e tani ndihem më mirë.

Çfarë vuan më tepër nga gjithë kjo histori?

Më duket sikur më janë kthyer të gjithë kundër, pavarësisht se partneri dhe shoqet e mia më kanë mbështetur shumë. Por po kuptoj që ja në çfarë realiteti jetojmë ne! Në asnjë vend të botës nuk do guxohej të shkruheshin këto gjëra për mua, pa u siguruar për më tepër duke vënë policinë në mes. Mediat janë ngatërruar me shumë detaje që s’u takojnë, duke i trajtuar si lajme të konfirmuara. Gjithsesi unë jam tip që pres shumë, dhe kam për ta çuar këtë çështje deri në fund për prishje të imazhit dhe dëmtim psikologjik. Në fakt e di gjithë Shqipëria që më është prishur imazhi, pasi kam humbur edhe vende pune pas publikimit të videove.

Ti ke një lidhje stabël. Si reagoi partneri?

Normalisht më ka mbështetur.

Ishte në dijeni më parë të asaj që kishte ndodhur, apo e pa dhe ai videon në rrjetet sociale?

Po normale që ishte në dijeni, e jo vetëm ai pasi kanë qenë shumica e njerëzve afër meje të informuar.

Mediat kanë shkruar se sherri ka ndodhur për xhelozi mes femrash, por pa e qartësuar llojin e xhelozisë. Çfarë e ndezi shkëndijën e konfliktit mes dy ish-mikeshave të ngushta?

Jo, absolutisht nuk ka qenë sherr për xhelozi, dhe nuk e di nga kanë dalë këto lajme. Por meqë erdhëm tek mediat dua të them se i kam paditur në Gjykatë, ndërkohë që e kam çuar në Prokurori çështjen e videotekës, që ka shpërndarë videon time në rrjetet sociale, pasi videon ka të drejtë ta kërkojë dhe ta ketë vetëm Prokuroria. Disa gazeta e televizione e kanë publikuar, kështu që do shihemi në gjyq me ta. Shpresojmë të jenë në dijeni të ligjeve në Shqipëri, sepse besoj që ka dhënë rryshfet për ta pasur atë video. Do i shkoj deri në fund kësaj çështjeje.

/Story/