Agim Ibraimi është drejt largimit nga klubi i mirënjohur slloven, Maribor. Shkak për vendimin e sulmuesit nga Tetova janë ofendimet mbi baza familjare, etnike dhe fetare nga drejtori teknik i ekipit, Zlatko Zahovic. Nëpërmjet faqes së fansave në “Facebook”, 27-vjeçari ka zbuluar edhe komunikimin me mesazhe me drejtuesin e klubit, ku konfirmon fyerjet dhe ofendimet e bëra në adresë të tij. Në situatën e krijuar, gjatë bashkëbisedimit me drejtorin teknik, Zahovic, Agim Ibraimi ka njoftuar edhe se në përfundim të sezonit do të largohet nga Maribori, duke mos harruar të theksojë se skuadrën do ta mbajë në zemër.
Paralelisht klubi njoftoi se për shkak të kësaj ngjarje, lojtari me origjinë shqiptare, por që përfaqëson Maqedoninë në arenën ndërkombëtare, do të jetë i pezulluar pa afat. Ngjarja vjen vetëm pak muaj, pasi Ibraimi rinovoi kontratën me Mariborin. Sulmuesi cilësohet gjerësisht nga tifozët si lojtari më i mirë i ekipit kampion të Sllovenisë në fuqi. Me Mariborin që është në garë për të mbrojtur titullin edhe në këtë sezon, lojtari i lindur në Tetovë ka shënuar 10 gola në 27 ndeshje të kampionatit.