Nga Fatos Salliu
Gruaja më kërkoi ta takoja personalisht. Ashtu bëra. Sapo u prezantuam, e pyeta se çfarë e mundonte: “Dua të shes veshkën”, më tha. Unë, që nuk e prisja këtë pohim, por nga ato që dëgjoj çdo ditë, ngriva dhe e ripyeta. Thashë mos e kisha dëgjuar gabim. “Kam nxjerrë në ankand veshkën. Dua ta shes”. Ishte e saktë ajo që kisha dëgjuar. Por s’e prisja nga një grua e fisme.
Një zonjë e mbajtur me plot dinjitet. Dhe ndoshta vitet që i kishin mbetur dëshironte të jetonte si e tillë. Ndaj kishte marrë atë vendim. Të shiste njërën veshkë dhe me të hollat të lante borxhin. Pjesën tjetër, më tha, do ta përdorte për veshje e ushqim… Kjo që po ju tregoj është një realitet. Sado i trishtë të duket. Unë do t’i përmbahem premtimit që i bëra. Ajo kërkoi ta publikoja historinë me iniciale. Dhe intervistën dhe fotot të mos ia nxirrja me fytyrë. “ Më vjen zor”, më tha. Më njohin. Unë jam elbasanllije dhe nuk dua të më mëshirojnë”.
M.D. është 53 vjeçe dhe jeton në lagjen “5 Maji” në Elbasan. Banon e vetme. Deri vonë i ka shërbyer të atit të saj. Ka punuar mbi 20 vjet në arsim. Por tashmë ka mbetur e papunë. “Isha te qendra arsimore. Nuk e di arsyen pse më hoqën. U bënë disa vite. Edhe shkëputjen nuk ma kanë dhënë. Jam interesuar se përse dhe nuk më japin asnjë përgjigje. Kam shkuar edhe te privatët. Por nuk më marrin. Kërkojnë vajza të reja. Unë tani jam 53 vjeçe”. Por çfarë e detyron këtë zonjë që të nxjerrë në ankand veshkën e saj? Historia zë fill 25 vite më parë.
“Ndodhem në një proces gjyqësor që para 25 vitesh. Pas seancash pa mbarim, sivjet arrita ta përfundoj. Dhe e fitova. Bëhet fjalë për shtëpinë ku banoj. Isha në konflikt me pronarin, por unë banesën e kam të trashëguar me tapi nga babai. Para tre muajsh gjykata më dha të drejtë. Por duhet që të kompensoj pronarin. I detyrohem 4 milionë lekë (të vjetër). Me ca letra shkon edhe më shumë. Unë nuk kam ku t’i gjej të hollat. U thashë: Në punë nuk jam. Privatët nuk më marrin. Kam 7 vjet që shkoj sa te një motër, te një tjetër. Por ato kanë hallet e tyre. Më vjen zor, nuk dua t’u bëhem barrë.
Nuk kanë të holla të më ndihmojnë. Nuk mund t’u bie më në qafë”. Zonja duket se ka kaluar periudhë të vështirë këto tre muaj. “E kam vrarë mendjen. Nuk më zinte gjumi. Më në fund e gjeta një zgjidhje. Vendosa të shes njërën veshkë. Me ato para do të shlyej borxhin dhe pjesën tjetër do ta mbaj të ushqehem e të vishem. Mua edhe disa vite më kanë mbetur. Përse të mos jetoj si gjithë të tjerët. Kam dëgjuar se me një veshkë njerëzit kanë kaluar një jetë të tërë. Po. Po. Një ditë isha në një mort dhe po tregonin se dikush aty kishte jetuar vite të tërë me gjysmë veshke.
Thashë, përse të mos e shes njërën e të jetoj si njeri. Unë jam një grua e shëndetshme. Kurrë në jetën time nuk kam pasur një sëmundje. Pastaj ka mjekë. Le të më kontrollojnë. Jam e gatshme të bëj çdo analizë. Jam e gatshme të jap veshkën më të mirë. Le ta marrin se shpëtoj një jetë tjetër por edhe vetë jetoj mirë ama”. Gruaja nuk ka asnjë peng për vendimin që ka marrë. “Për mua, kjo është rruga më e drejtë. Unë nuk kam asnjë pishman. Ndoshta nuk i bëj mirë vetes, shëndetit. Megjithatë nëse do ma kërkojnë t’ia dhuroj do ta bëj pa hezitim. E kam ndarë mendjen”.
“Nuk di nëse më lejon ligji të shes veshkën”
M.D. ende nuk e di se a e lejon ligji dhe se në Shqipëri mund të nxirret një veshkë në ankand. “Kam dëgjuar për transplante veshkash. Nuk di në ligji e lejon që të shitet ky organ. Po përse të mos e bëj. Kjo është veshka ime. Unë po e shes pse dua të jetoj. Me të shpëtoj gjithë organet e tjera. Qenien time. Thjesht vazhdoj të jetoj”. Ajo gjithashtu se di se sa mund të përfitojë nga ankandi i një veshke. Se sa është vlera reale e saj. “Do të shoh ofertën më të mirë. Me ato të holla dua të shlyej borxhin. Nuk dua të iki nga kjo botë pa e larë. Dhe me ato që teprojnë, u thashë që dua të vazhdoj jetën me dinjitet. Pa u lutur, zvarritur e nëpërkëmbur. Nuk mund ta pranoj atë realitet”. I premtova se do ta përcjell mesazhin ku të mundem. Ndonëse, thellë-thellë, për motivet që më tregoi, dëshiroj që veshka të mbetet në trupin e saj.
Gazeta “Shekulli”