Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ka reaguar pas deklaratave të zëvendësministrit të Bujqësisë maqedonas, Lupço Nikolovski, i cili tha se në tregun e Maqedonisë kanë hyrë nga Shqipëria kastravecë që përmbajnë substanca helmuese. Panariti tha për “Top Channel”, se në Maqedoni po përdoren kastravecët tanë për luftë politike.
“Është ndezur lufta politike atje dhe po përdoren kastravecët e Shqipërisë për këtë luftë. Sipas rezultateve laboratorike në Shkup, nivelet e pesticideve janë 25 herë më të ulëta se niveli maksimal i lejuar.
Kemi marrëveshje me Maqedoninë që për çdo shqetësim, autoritetet duhen njoftuar paraprakisht dhe jo me masa ekstreme si ndalimi i kamionëve në doganë. Është veprim i nxituar dhe i pajustifikuar. Perimet tona janë super të pastra”, u shpreh Panariti.
Shqipëria pritet të paraqesë ankesë për shkelje të konventave ndërkombëtare nga ana e Maqedonisë dhe përdorimin e luftës së brendshme politike për luftë tregtare me fqinjët.





