Drew Sullivan, është drejtor dhe redaktor i Organizatës për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP). Ai është gazetar dhe specialist i zhvillimit të medies me bazë në Sarajevë, të Bosnje-Hercegovinës dhe në Uashington DC. Drew e ka nisur karrierën në media si gazetar investigativ, e më pas si redaktor i lajmeve, dhe së fundmi si menaxher për Associated Press në Nju Jork.

Një ndër themeluesit e Qendrës për Gazetari Hulumtuese (CIN) në Sarajevë, e para e këtij lloji e ngritur në Ballkan, CIN filloi punën në vitin 2004. Puna e kësaj Qendre fokusohet në krimin e organizuar dhe korrupsionin, e specifikisht tek efektet negative që ata kanë sjellë në jetën e qytetarëve të zakonshëm.

Drew ka qenë i ftuar ekskluziv në studion e gazetares Rudina Xhunga në vitin 2014, kur foli për mafien, drogën, rrjetet kriminale shqiptare dhe gazetarinë e munguar investigative në Shqipëri, intervistë e cila bëri shumë zhurmë në media.

Sot, ai është pjesë e rrjetit të gazetarëve në të gjithë botën, që po studiojnë dokumentet e “Panama Papers”, një nga rrjedhjet më të mëdha të informacionit në historinë e gazetarisë. Ai shpjegon për “Dritare” në Vizion Plus, kur do te dalin emrat dhe kush po punon nga Shqipëria me letrat e Panamase.

Drew sa intervista ke dhënë deri tani?

Drew Sullivan-Kjo është intervista ime e 12, pjesa më e madhe kanë qenë nga Rusia dhe Ukraina. Ka një treg shumë të madh për kompanitë offshore kineze, ruse, ukrainase, kështu që ata u specializuan në këtë fushë, pasi shumica e informacioneve vinin pikërisht nga këto pjesë të botës. Ka ende shumë materiale të mëdha dhe nuk e dimë ende se çfarë kanë. Kina ishte e para në listë, Rusia e dyta dhe e treta Ukraina, ndërsa sa i përket rajonit, shumë pak njerëz kemi zbuluar deri tani. Kemi ende shumë shtete për të studiuar, shumicës së tyre, veçanërisht vendeve të vogla, nuk i kemi shkuar deri në fund dhe tani po i rikthehemi për t’i studiuar më me vëmendje. Megjithatë deri tani nuk kemi hasur emra presidentësh. Emrat e mëdhenj që kemi hasur janë nga Rusia, Ukraina.

Si u përfshi OCCRP në këtë bashkëpunim?

Suddeutsche Zeitung kërkoi bashkëpunimin e International Consortium of Investigative Journalists, (ICIJ) të cilët ndërtuan një skuadër dhe na morën edhe ne të OCCRP në bord , në mënyrë që të bashkonim sa më shumë dhe shpejt reporterë nga vende të ndryshme të rajonit, ku kemi ndikim dhe informacion. Kështu nisëm punën.

ICIJ në njëfarë pike do dalë me një listë emrash që janë në database, në bazën e të dhënave, por kjo është më e vështirë sesa njerëzit e imagjinojnë. Këto janë regjistrime offshore dhe ne gjetëm shumë emra politikanësh dhe biznesmenësh të njohur, por kur zbuluam emrat e kompanive offshore, nuk i gjetëm ato gjëkundi.

Ose janë të përfshirë në disa transaksione biznesi që nuk bëjnë sens ose, ndoshta janë duke pastruar para, por nuk kemi ende prova për ta vërtetuar një gjë të tillë, sepse nuk e dimë se cilat janë kompanitë e përfshira, që në shumicën e rasteve përdorin agjente të ndryshëm regjistrimi. Ndodh në mënyrë tipike që kur një person i krimit të organizuar, ose një politikan i korruptuar ngre një sistem, ai shkon në 5-6 agjentë të ndryshëm të cilët ngrenë kompani që zotërohen nga ata dhe që bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, transferojnë, lëvizin para midis tyre. Kjo është një lloj skeme e pastrimit të parave. Pra, ata i lëvizin paratë lart e poshtë shumë herë, aq sa nuk e kupton dot se ku është bërë një veprim i paligjshëm dhe e bën edhe më të vështirë gjurmimin e gjithë atyre kompanive dhe vendeve offshore. Ne kemi vetëm një pjesëz të mozaikut dhe ndonjëherë nga ajo grimcë mund të zbulosh të gjithë mozaikun, por ka raste, kur nevojitet më shumë ndihmë. Si edhe më shumë kohë për të parë të gjitha këto dokumentet, me një pjesë të së cilave kemi 8, 9, 10 muaj që punojmë.

Dhe që mund të vazhdojë edhe 8, 9, 10 muaj të tjerë?

Nuk e di. Por ky nuk është nga ato rastet kur ke një informacion dhe e bën direkt lajmin. Këto janë raste të tilla ku njerëzit kanë bërë kontrata për një transferim parash, të tipit një vjedhje prej 300.000 dollarë nga Shqipëria në Nigeri. A u transferuan vërtetë këto të holla nga Shqipëria në Nigeri? Ne nuk e dimë. Mund të jetë pastrim parash, por mund të jetë edhe mashtrim. Prandaj them që është shumë vështirë t’i zbërthesh dhe shumë e thjesht të bësh gabime me dokumente të tilla.

Por njerëzit janë të etur të dinë emra.

Unë i kam emrat, por nuk mund t’i jap tani. Më beso, e di që njerëzit i duan emrat dhe ne do t’i japim sa më shpejt të mundemi.

Ju e dini që ka emra të rëndësishëm nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia?

Nuk mund të them tani nëse ka ndonjë emër tepër të rëndësishëm nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi. E urrej të flas para kohe. Jemi duke punuar.

Po në Shqipëri flitet që ju keni zbuluar emra të rëndësishëm dhe do të kemi surpriza?

Nuk di kush është duke e thënë këtë. Nuk e di cilët gazetarë janë duke thënë që ka politikanë shqiptarë në database. Ne kemi përzgjedhur një grup gazetarësh shqiptarë për të punuar dhe ndihmuar me identifikimin e emrave nga dokumentet që disponojmë. Nuk e besoj të ketë folur ndonjëri prej tyre. Nuk ka mundësi.

Kush janë ata?

Emrat e tyre nuk mund t’i bëj publike. Atyre u janë komunikuar, rregulla strikte në kuadër të këtij bashkëpunimi dhe ju është bërë e qartë se nuk duhet të komunikojnë me asnjë gazetë apo gazetar, rreth informacioneve që kanë nga “Panama Papers”.

Pse kërkuat ndihmë nga gazetarët shqiptarë me të cilët zgjodhët të bashkëpunoni?

Sepse ne nuk e dimë nëse emrat që kemi janë shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës apo Maqedonisë. Shumë njerëz duan emra, por është shumë e vështirë identifikimi i personave. Ndaj kemi disa gazetarë shqiptarë që po i presim të vijnë në Sarajevë që të punojnë më shumë me ne.

Gjithsesi nuk duhet menduar vetëm për emra. Në qoftë se ju jap emra, çfarë nënkupton kjo? Që kanë një kompani offshore? Por kjo kompani mund të jetë plotësisht e ligjshme sepse disa nga këto biznese janë të ligjshme. Pra, duhet vërtetuar korrupsioni dhe këtu qëndron problemi sepse nuk është e paligjshme të kesh një kompani offshore.

Çfarë na tregoi Panama Papers, për rolin e gazetarisë investigative?

Diçka që nuk është përmendur shumë, është mahnitëse kur ke mundësi të punosh me më shumë se 100 organizata nga rreth 80 shtete, për më shumë se 1 vit, me 400 reporterë pa përmendur grafistët, përkthyesit, hulumtuesit. Ndoshta rreth 1 mijë persona kanë punuar mbi këtë çështje për më shumë se 1 vit dhe askush nuk e dinte çfarë po ndodhte. E mahnitshme. Çdo email që i dërgonim njeri-tjetrit ishte i kriptuar. E kemi ruajtur me shumë kujdes sepse për shumë njerëz, nëse këto informacione do të dilnin, puna do të ngecte.

A keni marrë ndërkaq kërcënime?

Jo, përveç qeverisë ruse. Po na kërcënojnë duke na thënë, se po investigojnë për të zbuluar nëse kemi dhënë në mënyrë të paligjshme pará për organizata në Rusi, gjëra të tilla. Ata po përpiqen të na ndëshkojnë për raportimin tonë. Ata kanë kohë që nuk na pëlqejnë dhe vazhdojnë të mos na pëlqejnë, por ne do vazhdojmë të bëjmë atë që duhet të bëjmë, t’i tregojmë njerëzve çfarë po ndodh. Jam i gatshëm të luftoj me çdo shtet për të drejtën për të treguar të vërtetën.

Jeni i frikësuar?

Jam shumë i lodhur për të qenë i frikësuar. Kam mbuluar krimin e organizuar dhe korrupsionin në Ballkan, për 10 vjet, po të kisha qenë i frikësuar nuk do kisha përfunduar gjë.

Kryeministri i Islandës dha dorëheqjen pas protestave në vendin e tij. A mendoni se ky është fillimi i dorëheqjeve?

Për fat të keq, një nga problemet e kësaj pune është se po vazhdoj të redaktoj artikujt, kemi rreth 30 artikuj që po i përgatisim të dalin nga zbulimi ynë. Ka kaq shumë punë sa nuk i kam vënë re se çfarë janë duke bërë njerëzit në vendet e tjera të botës. Por mendoj se do të ketë duzina investigime që po vazhdojnë, mendoj se do të ketë ndonjë arrestim dhe shumë të tjerë do të humbasin punët e tyre, kur e gjithë kjo të përfundojë. Por siç e thashë, mund të ketë histori që do dalin pas 2-3 vitesh që do t’i nxjerrë disa njerëz nga puna. Kjo është një maratonë, jo një sprint. Do duhet shumë kohë që të gjithë të dhënat të dalin në dritë.

Drew ndihesh krenar për punën që bën?

Unë e dashuroj punën time. Nuk e di nëse fjala krenar është e duhura, por unë jam ai që duhej të isha. Unë ky jam dhe nuk mund të jem dikush tjetër. Jam i dizenjuar të jem një reporter investigativ, jam i obsesionuar pas informacionit. Reporterët investigativë nuk janë njerëzit më të dashur, ata të shkelmojnë, të kafshojnë, por kur i vendos në një pistë vrapimi, ato nuk shohin majtas apo djathtas, vetëm vrapojnë shpejt përpara. Këtë bëjmë edhe ne, vrapojnë në pistën e drejt shumë shpejt. Nuk mund të them se ndjehem krenar, por ndjehem i kënaqur që po bëj atë që duhet të bëj.

Po rikthehem pyetjes së fillimit. Pra nuk mund të më thoni kur do të dalin informacionet?

Javën e kaluar nxorëm një artikull për Serbinë dhe përmendëm disa emra nga Serbia. Një gjë të ngjashme bëmë për Rumaninë, Republikën Çeke. Nuk e kemi vendosur ende nëse do merremi me secilin shtet në mënyrë individuale, por do të nxjerrim një artikull ku do të përmenden disa emra të njohur për njerëzit, ndërsa disa mund të mos i tregojmë pasi nevojitet t’i shohim me më shumë detaje dhe duam të nxjerrim diçka të mirë nga e gjithë kjo çështje. I kërkoj njerëzve të bëjnë pak durim. E di që nuk është diçka e këndshme të thuhet , por në këto të dhëna ka shumë emra njerëzish që janë të pafajshëm dhe duhet të tregohemi të kujdesshëm që të mos dëmtojmë askënd që nuk duhet dëmtuar. Çështja e privatësisë është shumë e rëndësishme për ne./Balkanweb