Megjithëse ende nuk është bërë zyrtare, sipas mediave sportive italiane, Mihajlovic nuk është më trajner i Milanit. Silvio Berlusconi, Adriano Galliani dhe Cristian Brocchi, trajner i të rinjve të Milanit, kanë darkuar së bashku mbrëmjen e së hënës në Arcore. Trajneri serb i kuqezinjve flitet se ka qenë në Romë, ndërsa në Milano është marrë vendimi për shkarkimin e tij. “Sportmediaset” shkruan se në mëngjesin e së martës drejtuesit e Milanit do të dalin me një deklaratë ku do të zyrtarizojnë shkarkimin e trajnerit. Gjithashtu, mësohet edhe emri që do të zëvendësojë Mihajlovic. Ai do të jetë pikërisht, Cristian Brocchi, i cili duket se ka besimin e plotë të Silvio Berlusconi.

Aktualisht, ai është trajner i të rinjve të Milanit, ndërsa më parë ka qenë edhe futbollist i kuqezinjve. Mihajlovic mori drejtimin e Milanit më 16 qershor 2015 dhe nënshkroi një kontratë deri në 30 qershorin e 2017-ës, por duket se drejtuesit e Milanit nuk kanë pritur as fundin e këtij sezoni për ta shkarkuar atë. Pesë ndeshjet e fundit duket se janë ato që i kanë “ngrënë kokën” serbit, pasi kuqezinjtë kanë arritur të marrin vetëm 2 pikë, me 3 humbje dhe 2 barazime. Pas 32 ndeshjeve të luajtura në këtë sezon në Serie A, Milani renditet në vendin e 6 me 49 pikë, ndërsa ka siguruar finalen e Kupës, e cila do të luhet ndaj Juventusit.