Në ndeshjet e fundit ka shkëlqyer me fanellën e Lucernës në Superligën zvicerane, dhe me meritë është përfshirë nga gazeta presitgjoze Blick në 5 kandidaturat për futbollistin më të mirë të muajit Mars në kampionatin helvet.

Bëhet fjalë për Jahmir Hykën ish lojtarin e kombëtares shqiptare, i cili falë paraqitjeve të tij të mira gjatë kësaj periudhe në një farë mënyre kërkon të bindë edhe trajnerin e përfaqësueses kuqezi, Gianni De Biasi t’i japë shans duke e grumbulluar në Euro 2016. Misioni në fakt do të jetë shumë i vështirë për Hykën duke parë konkurrencën e madhe që ekziston në ekipin tonë përfaqësues, gjithsesi 28-vjeçari po provon gjithcka. Hyka jo vetëm që është përfshirë nga Blick në listën e 5 kandidaturave për lojtarin e muajit por aktualisht kryeson edhe sondazhin e gazetës në fjalë pasi ka grumbulluar deri tani 32,6 % të votave duke lënë pas me 1,4% më pak, Renato Steffenin e Baselit, për të vijuar me sulmuesin e Young Boys, francezin Horoau, Davide Chiumienton e Zurich-it dhe Kim Kallstrom-in e Grasshopper-it.

Muaji i kaluar për Jahmir Hykën nisi me gol pasi sulmuesi 28-vjeçar shënoi në humbjen 5-2 që pësoi Lucerna ndaj Young Boys në datën 6 Mars. 6 ditë më pas ish lojtari i Tiranës ishte përcaktues me asistin e golit të parë të Frey-it në fitoren 2-1 ndaj Luganos. Hyka bëri një paraqitje të mirë edhe në barazimin që Lucerna arriti kundër Thunit në transfertë për të shpërthyer në ndeshjen e fundit të muajit Mars ndaj Vaduzit të Armando Sadikut dhe Albion Avdijajt. Në suksesin 5-1 të Lucernës ndaj formacionit nga Lihtenshtejni, 28-vjeçari shqiptar fitoi një penallti dhe realizoi një gol.