Pas një viti nga sulmi që iu bë makinës së deputeti të PD-së, Bedri Hoxha në Burrel, zbulohet një procesverbal i policisë i asaj kohe. Vetë deputeti e pati quajtur ngjarjen për shkaqe politike, por gazeta Shqiptarja.com ka publikuar sot procesverbalin, i cili përshkruan lëvizjet e deputetit demokrat, para sulmit ndaj makinës së tij.

Në procesverbalin e mbajtur nga Oficeri i Policisë Gjyqësore, Azis Heta, thuhet se, nga makina kanë dalë dy persona, njëri i seksit mashkull dhe tjetri i seksit femër, të cilët kanë hyrë në hotel me valixhe në duar.

Procesverbali

“Objekt i këqyrjes janë pamjet filmike të marra nga kamera statike e bankës, e vendosur sipër hyrjes së saj, 24.04.2015 nga ora 22:00 deri në orën 25.04.2015.

Pamje të orës 22:00 e në vazhdim dallohet një automjet fuoristradë, i cili parkohet përballë bankës dhe nga automjeti zbresin dy persona, njëri i seksit mashkull që zbret nga vendi i shoferit dhe tjetri i seksit femër që zbret nga vendi i pasagjerit dhe të dy bashkë pasi marrin valixhet drejtohen për te hyrja e hotelit. Më pas me pamjet filmike në orën 22:05 dallohen dy persona të tjerë që kalojnë në rrezen e kamerës dhe drejtohen nga lokali përballë bankës.

Vetë deputeti Hoxha, i pyetur nga Panorama rrëzon këto të dhëna.

“Këto janë përralla dhe shpifje që riciklohen tani në prag fushate. Ai procesverbal nuk ka lidhje me mua. Unë madje kam qenë i vetëm në makinë. Po të isha me ndonjë femër nuk do ta kisha denoncuar fare rastin. Kisha tre miq te hoteli që i kisha njoftuar pasi nuk kisha ku qëndroja. Është shumë e thjesht për ta verifikuar, pasi çdo hotel ka një regjistër të hyrje daljeve të tij”, u shpreh ai, ndërsa thekson se çështja u mbyll nga Prokuroria me argumentin se, “kamerat e sigurisë së bankës aty pranë nuk kishin fushëpamje por vetëm mund shihnin bankomatet aty”.