Deputetja socialiste Mimoza Hafizi, e vetmja që ka mbështetur deputetin Ben Blushi, i ka drejtuar një letër komisionit Zgjedhor të Partisë Socialiste Bashkisë Shkodër ku i kërkon përgjigje për disa kërkesa të saj. Hafizi pretendon se ka 3 orë në pritje të takimit për kërkesat që ka adresuar, ndërsa mbahet Referendumi në PS.
Hafizi kërkon të njihet në mënyrë zyrtare me përbërjen e re të komisionit, e cila është vendosur dje pasdite. Kërkon të ketë një fotokopje të shkresës zyrtare të emërimit. Kërkon të dijë se pse KZPB-ja Shkodër nuk është mbledhur asnjëherë, të paktën deri dje pasdite. Kërkon t’i jepet lista me adresat e të gjitha qendrave të votimit në Bashkinë Shkodër.
Letra e plotë e Mimoza Hafizit:
Komisionit Zgjedhor të Partisë Bashkia Shkodër (KZPB)
Kryetarit, Z. Kujtim Prroni
Z. Kryetar, Në vijim të bisedës sonë të sotme telefonike të orës 8e40, kam mbi tre orë në pritje të takimit ku desha të parashtroj kërkesat e mia. Meqë ora ecën dhe kërkesat e mia nuk mund të presin më, ju lutem t’i merrini në konsideratë si vijon:
1. Kërkoj të njihem në mënyrë zyrtare me përbërjen e re të komisionit tuaj, e cila është vendosur dje pasdite, siç ma konfirmuan nga zyra e organizimit e selisë së PS. Kërkoj të kem një fotokopje të shkresës zyrtare të emërimit.
2. Kërkoj të di se pse KZPB Shkodër nuk është mbledhur asnjëherë, të paktën deri dje pasdite.
3. Kërkoj të më jepet lista me adresat e të gjitha qendrave të votimit në Bashkinë Shkodër.
4. Kam mbi 24 orë që përpiqem ta kontaktoj KZPB Shkodër, me qëllim për të akredituar vëzhguesit e mi për procesin e referendumit në Bashkinë Shkodër. Në momentin e tanishëm sigurisht ky akreditim s’mund të ketë më vlerë. Në mungesë të vëzhguesve, kërkoj që në fund të procesit të pajisem me fotokopjen e listave të pjesëmarrësve në procesin e votimit, me nënshkrimet e votuesve, për të gjitha qendrat e votimit të Bashkisë Shkodër.
Mbetem në pritje të plotësimit të këtyre kërkesave të ligjshme.
Mimoza Hafizi Deputete e Qarkut Shkodër Shkodër, 9 Prill 2016, ora 12.00





