Kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në PD, Enkeleid Alibeaj, ka akuzuar drejtorin e ri të OSHEE-së për Kurbinin, Lekë Tunën, që është kreu i një grupi kriminal që vidhte dhe trafikonte makina.

Alibeaj deklaroi sot se Tuna u arrestua natën e 5 prillit me urdhër të Prokurorisë së Shkodrës, nën akuzën e trafikimit të mjeteve motorike, por lajmi u mbajt i fshehtë, dhe megjithëse nën arrest për këtë vepër të rëndë penale, ai vazhdon të jetë zyrtarisht kreu i OSHEE-së për Kurbinin.

“Ndërsa Edi Rama krekoset me represionin ndaj të pamundurve, banda e tij në OSHEE vazhdon të dhunojë qytetarët, vazhdon të shtojë radhët me kriminelë me damkë.

Në gjithë Kurbinin, mes qindra të rinjve e të rejave, burrave e grave me integritet e të arsimuar, Edi Rama i vuri gishtin pikërisht këtij vjedhësi dhe trafikanti makinash, kreut të një grupi të strukturuar kriminal, me lidhje dhe me mafien rajonale, për t’i besuar drejtimin e OSHEE-së”, tha Alibeaj.

Dekriminalizimi është jetik sipas PD-së, dhe duhet të zbatohet një orë e më parë që zyrat publike dhe politika të pastrohen nga banditët e Edi Ramës.