Bashkia e Durrësit është treguar kategorike në këtë fillim të sezonit veror për sa i përket taksave të plazheve private.

Kjo pas akuzave të shumta që janë hedhur nga ana e PD-së për sa i përket mbledhjes së kësaj takse, nga ana e bashkisë së Durrësit për sezonin veror 2015. Taksa e plazheve private është mbledhur në nivelin 29 % vitin e shkuar, taksë e cila rezultonte 3 milionë lekë për 200 metra katrorë, pasi taksa u ul nga 3 milionë në 1 milion me vendim të Këshillit Bashkiak në muajin tetor. Por gjatë muajve të verës, taksën e paguan shumë pak subjekte, pasi numri i ulët i pushuesve reflektoi dukshëm në një krizë të ardhurash në plazh. Por kjo po shfrytëzohet nga opozita në Këshillin Bashkiak, dhe kreu i bashkisë Vangjush Dako ka marrë një vendim të prerë. Asnjë prej subjekteve nuk do të pajiset me leje shfrytëzimi plazhi privat, pa paguar taksën prej 1 milion lekësh të vitit 2015.

Dako deklaroi për çështjen në fjalë se do vetëm që plani i të ardhurave nga kjo taksë do të përmbushet, por do të tejkalohet. Sepse biznesit do t’i mblidhet taksa për 2015-n e 2016-n.

Këshilli Bashkiak në Durrës me votat e maxhorancës së majtë uli tarifën e plazheve private nga 300 mijë lekë në 100 mijë lekë të rinj tetorin e 2015-s. Vendimi u miratua me urgjencë pas kërkesës së bashkisë së Durrësit dërguar Këshillit Bashkiak, ku i kërkohej ulja e tarifës për plazhet private, pas krizës së rëndë që goditi sezonin veror dhe operatorët turistikë. Moti i keq i dy muajve qershor – korrik dhe përkimi me muajin e Ramazanit, bëri që plazhi të ishte bosh, me numër pushuesish në shifra të papërfillshme, ndërsa subjektet e kishin të pamundur pagimin e kësaj tarife sezonale. Nga 100 plazhe të licencuara, vetëm 25 prej tyre, kryesisht hotelet dhe rezidencat turistike, i kanë paguar detyrimet ndaj bashkisë së Durrësit. Tarifa prej 300 mijë lekësh për 200 metra katrorë ka sjellë jo pak abuzime dhe ndërhyrje klienteliste në drejtim të pagimit të saj, për shkak se një pjesë e subjekteve i janë shmangur pagesës në vite.

K.H.