Dy ditë pas zbulimit të skandalit të drejtorit të Spitalit të Gjirokastrës, i cili planifikoi largimin e punonjësve përmes shortit me letër me vrimë, sekretari për Aksionin Qytetar në PD, Ervin Salianji dhe kreu i degës së Gjirokastrës, Roland Bejko u takuan me mjekët dhe personelin shëndetësor atje. Përfaqësuesit e PD-së denoncuan këtë abuzim para medias dhe u shprehën se përgjegjësit do të japin llogari para ligjit.

“Është e pafalshme që sot kur shteti shqiptar i ka rregulluar marrëdhëniet mes punëdhënësit dhe punëmarrësit përmes ligjit, të zbatohen këto metoda primitive të cilat nuk i shkojnë as Gjirokastrës, dhe as këtij institucioni që është drejtuar nga personalitete si doktor Laboviti. Ne sot jemi këtu për të protestuar edhe për qytetarët që marrin shërbime në këto ambiente të papërshtatshme. Po protestojmë që kjo qeveri të reagojë, që qytetarët shqiptarë të marrin shërbimet, për ata që blejnë ilaçe, për ata që vijnë në urgjencë, por shohin se nuk ka kirurgë por vetëm një reanimator dhe dy kirurgë për të gjitha operacionet. Jemi sot këtu edhe për të gjitha ata qytetarë që u gënjyen nga kjo qeveri duke u thënë që shëndetësia do jetë falas por që realisht, që nga ilaçet dhe shërbimet i blejnë me paratë e tyre. Jemi sot këtu edhe për abuzimet që bëhen në këtë institucion dhe kërkojmë largimin e drejtorit si të paaftë”, tha Bejko.

“Ju e shihni që shtet për qytetar nuk ka. Shteti dhe qeveria janë për tu shërbyer qytetarëve. Këtu jemi në rastin që kemi 4 shtete. Një shtet e ka Rama, një shtet e ka Meta me Tavon këtu, një shtet e kanë banditët e tyre dhe një shtet tjetër e kanë oligarkët. Nga shëndetësi falas kemi ardhur në letra me vrimë për të jetuar ose jo”, tha Salianji.

Ai paralajmëroi se nëse nuk merren masa nga ana e Ministrisë për të shkarkuar drejtorin dhe kudo që ka shkelje, PD do t’i përshkallëzojë protestat.