Teuta, nën drejtimin e trajnerit Gugash Magani, ka zhvilluar dje dy seanca stërvitore, të cilat shkojnë në funksion të ndeshjes së fundjavës me Vllazninë. Me rikthimin e Lukiçit dhe Hilës skuadra është e plotë për transfertën e Shkodrës, përjashtim bën Bruno Dita i dëmtuar prej kohësh.
Mbrojtësi Erando Hoxha pohoi se Teuta i ka mundësitë që ta tregojë veten në ndeshjet e ardhshme, madje duke filluar nga kjo javë kundër Vllaznisë. “Në përgjithësi Teuta ka zhvilluar ndeshje të mira duke marrë rezultate pozitive si brenda dhe jashtë fushës sonë. Takimin me Flamurtarin duhet ta kishim fituar, por për disa gabime tonat sfida përfundoi në barazim. Ndonëse bëmë një hap fals, sërish mbetemi optimistë dhe besojmë se i kemi të gjitha mundësitë për të marrë pjesë në Europë. Përgjegjësia bie mbi ne lojtarët që duhet të ndryshojmë dhe të mos humbasim ritmin e Kukësit, si dhe të mos lëshojmë sërish terren. Këtë javë na pret një ndeshje shumë e vështirë. Vllaznia, ndonëse lufton për mbijetesë, ka një ekip cilësor që do vlerësim maksimal. Tetë ndeshjet e mbetura në kampionat janë të gjitha finale për Teutën.
Me Vllazninë, si dhe me kundërshtarët e tjerë, kemi shanset tona për fitore dhe do të bëjmë maksimumin. Ekipi duhet të reagojë me patjetër, gjë e cila mund të vijë duke u stërvitur fort dhe luajtur shumë mirë ditën e ndeshjes. Ekipi duhet të tregojë karakter në një fushë shumë të vështirë, si ajo e Shkodrës, ku tifozeria e tyre është lojtari i dymbëdhjetë për Vllazninë. Ne shpresojmë që të mos gabojmë dhe të paraqitemi shumë mirë. Nuk duhet të dalim pa pikë nga ky takim, përndryshe çdo gjë komplikohet. Të gjitha janë sfida të vështira, por në futboll nuk ka asgjë të pamundur”, u shpreh mbrojtësi Erand Hoxha.