Partia Demokratike ka deklaruar se raporti i Bashkimit Europian për drogën ka konfirmuar se vendi ynë për fat të keq është në krye të listës së prodhimit të hashashit dhe të tregtimit të tij të paligjshëm.

Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani tha se “ky raport i Bashkimit Europian është pohimi, është konfirmimi ndërkombëtarisht, i asaj që qytetarët shqiptarë e dinë mirë, është pohimi i asaj që Partia Demokratike e ka denoncuar çdo ditë, është konfirmimi se kanabizimi masiv i vendit, përmes grupeve kriminale të lidhura me policinë, me Saimir Tahirin dhe Edi Ramën, është realiteti i hidhur që po jetojmë.”

“Prej tre vitesh trafikantët e drogës, lordët e hashashit kanë gjetur parajsën në Shqipëri, pasi ata erdhën në pushtet me Edi Ramën, ndajnë pushtetin me të, dhe do tentojnë të mbajnë pushtetin duke blerë votën e shqiptarëve të pamundur, sa herë ti thërrasë kumbari.

Trafikantët e kthyen Shqipërinë në Kolumbi të Europës, sepse i kanë të gjitha lehtësitë, pasi përdorin makinën private të ministrit të Brendshëm, emërojnë njerëzit e tyre në polici, kanë kapur pikat kyçe në dogana e institucione të tjera të zbatimit të ligjit, kanë shkrepësen në dorë për djegien e provave, dhe gëzojnë shfajësimin e Tahirit kur goditen nga shërbimet partnere”, tha Ristani nga selia blu.