Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, ka deklaruar publikisht se do të bojkotojë referendumin e thirrur me propozim të kryetarit Edi Rama për mandatin e tij. Kundërshtari i Ramës e cilëson të paligjshëm referendumin e së shtunës, pasi, sipas tij, shkel Statutin e Partisë Socialiste.
"Referendumi i paligjshëm në shkelje të Statutit. Nuk lejohet gara, nuk do të votoj të shtunën. Nuk mund të votoj për një shkelje," – shprehet Blushi.
Gjatë Kongresit të PS, deputeti socialist bashkë me disa deputetë të tjerë kërkuan që të zhvillohej votim për zgjedhjen e kryetarit të PS, pasi, sipas tyre, mandati i Edi Ramës ka skaduar prej tre vjetësh. Por, një gjë e tillë u refuzua me argumentin se kur partia fiton zgjedhjet, mandati rinovohet automatikisht.