Krytari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përshëndetur 7-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Me anë të një mesazhi, Basha ka theksuar se anëtarësimi në NATO u bë gjatë kontributit 8-vjeçar të qeverisjes së Partisë Demokratike. Ndërkohë, ai ka hedhur edhe akuza ndaj qeverisë Rama, për shkurtim të fondeve dhe politizim të madh të Forcave të Armatosura.
"Në këtë ditë të shënuar për të gjithë vendet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, dëshiroj të uroj mbarë shqiptarët për përvjetorin e anëtarësimit në NATO. Me këtë rast, ju shpreh të gjitha vendeve anëtare dhe veçanërisht aleatit tonë strategjik, SHBA, mirënjohjen më të thellë të mbarë shqiptarëve për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë, para, gjatë dhe pas anëtarësimit," – thekson Basha në mesazhin e tij.
"Si kryetar i PD, shpreh krenarinë legjitime që në tetë vjet qeverisje kemi udhëhequr një proces historik reformash në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, që u finalizuan me anëtarësimin në NATO, – thotë Basha. – Dua të nënvizoj pa asnjë mëdyshje se PD i konsideron çështjet strategjike të sigurisë dhe mbrojtjes si tërësisht përtej interesave politike të ditës. Në këtë kontekst, shpreh shqetësimin por edhe angazhimin tim se do te bëjmë gjithçka të mundur për të ndalur prishjen e balancave kushtetuese, arrogancën e paprecedentë politike, mungesën e konsensusit, shpërdorimin propagandistik të burimeve, pronave dhe kapaciteteve të mbrojtjes, uljen drastike të buxhetit me 50%, politizimin ekstrem të FA, dhe rrëshqitjen e Shqipërisë në fundin e listës së vendeve të NATO, ku fatkeqësisht e kanë katandisur pseudoreformat e dështuara në këtë fushë."





