Nga Ilirian Demiri
Tashmë gjithë shqiptarëve u është mbushur mendja se arsimit i ka rënë plotësisht tavani. Sa nuk ka Linditë, apo Erion që mund t’ia riparojë, apo t’ia ndryshojë sadopak fytyrën. Mësuesit sot kanë të drejtë vetëm t’i ndëshkojnë nxënësit që nuk mësojnë, apo bëjnë zhurmë në orën e mësimit, vetëm duke u nxjerrë një kartelë të verdhë. Është një projekt që po zbatohet prej dy-tre vitesh në shkollën tonë, një projekt që më shumë ka shërbyer për të fituar ndonjë lekë një shoqatë. Por, sot nuk është vështirë të dallosh në shkolla mësues që u nxjerrin vazhdimisht nxënësve kartelën e verdhë. “Brenda një 45-minutëshi ia kam nxjerrë një nxënësi deri 24 herë kartelën. Po tek ai nuk vërej ndonjë ndryshim. Kjo puna e kartelave është sa për të na vënë në lojë ne nxënësve dhe jo si një ndëshkim ndaj tyre. Po s’kemi çfarë të bëjmë. Veç kartelës, nxënësve ne duhet t’u buzëqeshim. Dhe e pranojmë gjithë këtë lojë në kurrizin tonë vetëm për atë palo rrogë që kush mundet vë dorë”, thotë një mësues.
Arsimit tashmë i ka rënë krejt tavani. Nga të gjitha anët. Nxënësit kanë të drejtë t’i shajnë mësuesit me libër shtëpie. Mësuesit vetëm t’u buzëqeshin. Nëse ndodh ndryshe, mësuesit largohen nga puna, bile në ndonjë rast edhe futen në burg. Për çfarë? Jo, thjesht për një shuplakë ndaj ndonjë nxënësi trazovaç. Tashmë ka nxënës që i shajnë mësuesit me libër shtëpie. Ndërsa mësuesi për një pagë nuk mund t’i kundërshtojë, e jo më t’i godasë. Për sharjen vetëm nuk i thuhet mësuesit t’i falënderojë të tillë nxënës. Për nivelin e arsimit askush nuk interesohet. Gjithçka ka mbetur në morinë e dokumentacionit. Ka nisur zbatimi i reformës së re, por asgjë nuk ka ndryshuar në sistem. Për të mos thënë se situata është përkeqësuar. Si mund të thuash ndryshe, kur mësuesi në klasën e VI ka dy regjistra. Regjistri i parë është ai i shtetit, ku shënohen vetëm temat e mësimit dhe asgjë tjetër. Regjistri i dytë është regjistri që ka mësuesi. Aty vendosen notat, mungesat etj. Një paradoks më vete, kur mendon se edhe shteti, edhe mësuesi bëjnë shpenzime më vete për regjistrin. Të gjithë mësuesit pyesin: Për çfarë duhen dy regjistra?
Është vetëm një nga mangësitë më të vogla që po instalon në sistemin arsimor reforma e re arsimore. Nivelin në rënie të arsimit e tregojnë vetë mësuesit. Bile vetë mësuesit e Tiranës. “Kontrolloni te ne testet që kryejmë gjatë vitit dhe shërbejnë nën një masë të madhe për vlerësimin e nxënësve me notë. Rezultatet e testeve nëpër klasa janë më shumë se të çuditshme. Me një mesatare mbi 9.4. Ndërsa testi i fundit arrin deri në 9.8. Të tilla rezultate i kërkojnë prindërit, biznesmenë, apo politikanë. Dhe ne u bindemi atyre. Edhe pse na shajnë gjatë vitit me libër shtëpie”.
Vërtet mësuesi ka një detyrë të shenjtë dhe një profesion fisnik. Po për këtë askund nuk dallohet as nga një punëtor i mirëmbajtjes së rrugëve. Puna ka arritur që t’i lejohet të dalë në pension pasi t’i bien të gjitha dhëmbët dhe nxënësve t’u mbarohen të gjitha të sharat për shtëpinë e tij. Kohët e fundit nën zë është ngritur problem i uljes së moshës së pensionit të mësuesit. Por vetëm nën zë. Pasi monstrat që po shkatërrojnë shtetin, alias deputetët, duhet të dalin në pension 55 vjeç. Sepse ata së pari, mendojnë për vete. Sistemi i arsimit tashmë ka vetëm anët e tij më hipokrite. Nga drejtuesit e tij që ua kanë imponuar hipokrizinë edhe punonjësve, mësuesve.
Duket sikur reforma në qendër ka luftën ndaj korrupsionit. Se ç’korrupsion mund të kryejnë mësuesit askush nuk mund të na e tregojë. Këtë e di vetëm ministrja Linditë. “Jam shumë e vendosur për të luftuar korrupsionin dhe larguar politikën nga shkolla”, thotë ajo. Paradoksi është se politikën e mbajnë të instaluar në shkolla vetë politikanët që zgjedhin drejtues shkollash vetëm pjesëtarët e familjes. Tashmë gjithë shqiptarët e dinë se në Shqipëri është instaluar një pushtet idiot familjar që po çudit dynjanë.
Deri tani mund të krenohemi me rezultatet e arritura nga reforma vetëm për testet e panumërta që kanë evidentuar se arsimi ka shumë mangësi. Një gjë që e dinë të gjithë, i madh dhe i vogël në Shqipëri. Përderisa kreditet janë dhënë nga shoqata fantazmë, të certifikuara nga Ministria, e cila vetëm tani ua ka hequr të drejtën e shitjes së krediteve. Por çudia është se deri tani askush nuk përmend faktin se kush e organizoi dhe kush fitoi milionat nga tregu i krediteve. Të paktën për këtë nuk duhet të heshtë Lindita. Por edhe Nora që ka mbetur zëvendësministre me të gjitha partitë që vijnë në pushtet dhe lavdëron e shan reformat në varësi të partisë në pushtet. Sepse tregu i krediteve nuk zgjati një ditë, a një muaj, por disa vite. Dhe myteberët e ministrisë jo se nuk e njihnin tregun, por u pëlqente ta shtrinin më tej, pasi ishin “tregtarët”, që vetë i kishin certifikuar. Kur ndyrësia doli në shesh, askush nuk mbajti përgjegjësi. Pse?
Në të vërtetë arsimi vazhdon të jetë blozë. Duke filluar nga tekstet që janë blozë dhe nuk janë askund me çfarë u duhet nxënësve tanë. Pasi Shqipëria nuk është vetëm qendra e Tiranës. Po në zonat rurale çfarë bëhet e di njeri? E di Ministrja se sa shkolla të Shqipërisë janë ende të paelektrifikuara? Në sa shkolla nxënësit ende nuk kanë parë me sy kompjuter, pa le të kryejnë lëndën e informatikës. Kush e jep këtë lëndë në shkollat shqiptare? Këto pyetje kërkojnë një përgjigje dhe më pas një diskutim të gjerë për t’u dhënë zgjidhje këtyre problemeve që mbahen të fshehura. Sepse myteberët e arsimit e dinë se mësuesit nuk bëzajnë sepse tashmë vetë e pohojnë se “mësuesit janë thjesht skllevër që i binden kujtdo për çfarë u kërkon”.
Në të vërtetë askush me nuk beson se diçka do të mund të rregullohet për një kohë të shkurtër. Sepse mashtrimet duket se po ndjekin njëra tjetrën. Bile janë vetë drejtuesit e arsimit që bëjnë gjithçka për ta fshehur të vërtetën. Me të vërtetë kanë kaluar 3 vjet që kur “Rilindja” erdhi në pushtet dhe është paradoksale që ende nuk ka mësuar se çfarë duhet të bëjë me arsimin dhe jo vetëm të mbyllë disa universitete që tregtonin diploma sa sot kemi të rinj me nga 4 – 5 diploma, por që nuk dinë as të lexojnë.
Tashmë as “Rilindja” nuk ka kohë të ndryshojë ndonjë gjë, pasi vitin tjetër janë zgjedhjet e reja dhe ajo për të fituar sërish mendjen e ka të na mashtrojë që t’ia japim sërish votën. Sepse drejtuesit e arsimit janë kthyer në agallarë dhe këta agallarë pretendojnë se kanë lindur vetëm të tallen me mësuesit, me këta skllevër që nuk do të mund të mashtrojnë gjithë popullin. Se skllevërit të mashtruar janë këtë e dinë edhe ata vetë.
Është kjo arsyeja që shumë mësues nën zë thonë: “Me këta agallarë që lëvizin sa në njërën zyrë në tjetrën, që janë manekinë të partisë, nuk shkohet as në hale”. Një nga paradokset e arsimit janë edhe sindikatat, që janë kthyer në shërbëtore të agallarëve që drejtojnë arsimin. Vini re: prej 25 vitesh nuk bëhen zgjedhje në të tilla sindikata. Në krye kanë mbetur mbretër që do të sundojnë edhe pas vdekjes së tyre. Kështu po ndodh në të tilla sindikata, kur njërën prej tyre vazhdon ta drejtojë një 86 vjeçar, që vazhdon t’i mashtrojë mësuesit sy ndër sy. Vetëm pak kohë më parë, ai u tha mësuesve se do të merrnin shpërblimin e fund vitit për 3 vitet që nuk e kanë marrë. Kaq tha dhe heshti më tej. Sepse edhe vetë e dinte se po i mashtronte mësuesit. Ashtu si herët e tjera gjatë këtyre 25 viteve. Mësuesit tashmë të gjithë vetëm i mashtrojnë. Sepse arsimit tashmë i ka rënë krejt tavani me gjithsej.
Gazeta "Sot"





