Dy qytetarë i janë drejtuar portalit “DurrësLajm” këtë fillim jave, për të bërë denoncimin e tyre në lidhje me postën e tyre. Pakot kanë mbërritur të riambalazhuara në postën e Durrësit, dhe qytetarët pretendojnë se u janë vjedhur dërgesat e nisura nga SHBA-ja.
Nuk mund të konsiderohet më një rast sporadik, për vetë faktin se dy pako brenda javës të hapura, do të thotë se “një dorë” hajdute brenda postës, po hap dërgesat e qytetarëve durrsakë.
Në rastin e parë, qytetari ka kërkuar komision për hapjen e pakos postare, pasi u verifikua e riambalazhuar, dhe ndjekje në rrugë ligjore, ndërsa rasti i dytë është edhe më i rëndë. Qytetarja durrsake, pritëse e pakos, kishte tri ditë që paraqitej në postë për të marrë pakon, por nga punonjësit i thuhej që nuk kishte mbërritur. Më pas rezultoi se pakoja kishte disa ditë që gjendej në postën e Durrësit.
Të dyja rastet janë denoncuar nga qytetarët në postën e Durrësit dhe është mbajtur ankesa e tyre nga një komision vlerësues. Kastriot Goxhobelli, specialist i Sigurisë dhe Cilësisë në filialin e postës Durrës, deklaron se pakot kanë ardhur të riambalazhuara nga posta qendrore e Tiranës. Goxhobelli heq përgjegjësinë nga posta e Durrësit dhe punonjësit e saj. Se kush është përgjegjës, qytetarët nuk e dinë, por ata duan të zbardhet e vërteta, të gjendet hajduti, se posta Shqiptare ka edhe moton “Shpejt, Sigurt Kudo”.
Edhe në faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane në Tiranë ka ankesa në lidhje me hapjen e pakove dhe të zarfave që mbërrijnë nga kontinenti i largët.
(Ankesat në faqen e Facebook-ut të Ambasadës Amerikane)


(Më poshtë, procesverbalet e mbajtura për pakot e hapura në Postën e Durrësit)





