Kanë kaluar tashmë 10 vjet që nga kopertina e parë e “Bluetooth” dhe përsëri sot, në numrin e 500, “e ftuara e nderit”, është Jonida Maliqi. Ikona mesa duket është ndër të rrallat artiste që ka ditur ti rezistojë kohës, duke mbetur ende sot ndër imazhet më të dashura për publikun. Natyrisht që nuk mund të mungonte në këtë numër special, duke u rikthyer edhe njëherë në “Bluetooth”, ndoshta për të rrëfyer sekretin e këtij suksesi të pashtershëm.
“Të qenurit vetvetja”, shprehet këngëtarja e mirënjohur, duke na treguar rrugëtimin e saj të gjatë. Që nga kopertina e parë Jonida është rritur artistikisht, është bërë nënë, shpesh herë ka zgjedhur ti qëndrojë dhe larg mediave, por gjithnjë në sytë e lexuesve tanë, ajo ka mbetur e njëjta figurë e dashur dhe e pacenuar. E në fund nuk kishte sesi mos të jepte edhe një mesazh për të gjithë besnikët e “Bluetooth”…
Jonida në numrin e parë të “Bluetooth”, rreth 10 vjet më parë, Jonida edhe sot në “Bluetooth”, çfarë është gjithë ky interes për ju nga publiku?
Të qenurit vetvetja(qesh). Mendoj se kjo është ndër arritjet më të mëdha për një artist, megjithëse vitet kalojnë, je i pranishëm dhe i reziston kohës dhe njerëzit sërish kanë kërshëri dhe dashamirësi për të të ndjekur.
Si ka rrjedhur jeta e Jonidës, këto 10 vjet, sa keni ndryshuar?
Rrugëtimi ka qenë shumë i gjatë. Jam rritur shumë, fizikisht, profesionalisht, artistikisht, familjarisht. Mendoj se si çdo individ normal kam kaluar edhe unë fazat e jetës, me uljet dhe ngritjet e saj, si të gjithë.
Si janë raportet tuaja me mediat, ju kanë mbështetur më së shumti, apo ju kanë sulmuar?
Më kanë mbështetur shumë në fillimet e mia. Sigurisht pasojat e të qenurit personazh publik, jo domosdoshmërisht do të thotë që ke përkrahjen e mediave. Ndonjëherë rrënojnë aty ku nuk duhet, sidomos tek jeta private, ku unë jam munduar ta mbaj sa më private. Megjithatë këto kanë qenë ulje dhe ngritje që kam pasur në marrëdhënien me mediat. Ka pasur momente të caktuara që unë nuk kam dashur të kisha suportin e mediave. Besoj se kjo pjesë është e pashmangshme, pasi për sa kohë bën një jetë publike, do bësh një jetë artistike, detyrimisht media do të jetë në krahun tënd.
E mbani mend se sa herë keni qenë në kopertinën e “Bluetooth”-it, kopertinën më të spikatur e mbani mend, një lajm që e kujtoni?
Kanë kaluar shumë vite në fakt. Në jetë gjithmonë mban mend kujtimet e këqija, pastaj të mirat, fatkeqësisht. Mendoj se jam mësuar edhe me anën tjetër të medias, por besoj se mu regj lëkura, u mësova dhe me këto lajme. Është shumë e rëndësishme që kur kalojnë disa vite karrierë, të kesh suportin mediatik, sidomos nga ana profesionale dhe rëndomtë në Shqipëri ka ndodhur që lajm përbëjnë vetëm lajmet rozë. Kjo gjë më zhgënjen ndonjëherë, sepse jo të gjithë personazhet duhet të futen në një thes. Ka personazhe që luajnë shumë me këtë pjesë, ka personazhe pastaj që janë munduar të përkushtohen në tjetër formë. Kjo nuk vjen si pasojë e mediave, por si pasojë e gazetarëve, që ndonjëherë ka edhe gazetarë jo të mirëfilltë.
Së fundmi a keni një mesazh për lexuesit besnik të “Bluetooth”?
Fillimisht i këshilloj ta blejnë “Bluetooth”-in e lexojeni dhe më pas vizitojeni tek “Balkanweb”.
Intervistë marrë nga “Bluetooth”