Kryeministri Edi Rama, teksa ishte sot në Himarë për të prezantuar programin për zhvillimin e fshatrave të jugut, s’i ka kursyer batutat për atë që konsiderohet si “Beu i Jugut”, Koço Kokëdhimën.

Si nip nga Vunoi, Rama tha se ndihej mirë që ky fshat do të merrte jetë, madje e sheh dhe si vend të mirë ku ai dhe miku i tij Kokëdhima, mund ta kalojnë pleqërinë duke u ulur te lapidari dhe të qanin hallet.

“Si nip nga Vunoi jam në të drejtën time të jem posaçërisht i kënaqur, që më në fund kësaj toke t’i krijohet mundësia të rilulëzojë dhe në pleqërinë që afrohet edhe mua edhe Koços, por edhe të tjerëve që janë të mirëpritur, të na krijohet mundësia të vijmë dhe të kalojmë kohë më të gjatë te sheshi i vogël afër lapidarit, ku pleqtë e kanë për traditë të mblidhen dhe flasin për problemet e botës”, tha Rama para të pranishmëve duke shkaktuar dhe të qeshura.