Nga Artan Gaçi
Kam pasur edhe unë një eksperiencë si kjo që po ndodh me parkun e lojërave. E njëjta situatë, e njëjta turmë, protesta e PD-së. Nisen protestuesit nga i njëjti vend dhe pastaj ndahen, disa për funeral, disa për grusht shteti me kallash e armë, e një pjesë e madhe për të shkatërruar e grabitur qytetin … Atëherë ishte data 14 shtator 1998.
Aktiviteti im ndodhej në bulevardin “Zogu i Parë”, e si shumë të tjerë u sulmua nga hordhia e barbarëve që nuk lanë gjë pa thyer e pa vjedhur. Shkul vetrata, shkul tenda, shkul parket, vidh gjithçka brenda, shkul priza e tela nga muret, qëllo me automatik etj., etj. Për çerekore arritën të hiqnin edhe suvanë e dolën te hekuri i soletave. Sikur të mos mjaftonte, në ikje i vunë edhe zjarrin.
Gjatë muajve në vazhdim, protestat e PD-së vazhduan në mënyrë të shpeshtë, ndërkohë Tirana ishte më e frikësuar se kurrë. Çdo dyqan, çdo bar, çdo njësi tregtare, çdo kafe, çdo gjë që ndodhej në lartësinë e syrit e të duarve të mitingasheve e barbarëve u vesh me qepena. Nuk mjaftonte shëmtimi që i erdhi Tiranës nga ’97-a, por u shumëfishua me qepenizimin, për shkak të protestave të PD-së, duke u kthyer në një qytet të errët llamarinash, me qepena të vendosur në shumicë mbrapsht nga shpejtësia e frika.
Gjatë protestave nuk funksiononte asnjë institucion. Madje edhe policia rrinte në gatishmëri, por e mbyllur nëpër komisariate. Çdo gjë ishte në mëshirë të mitingashëve. Varej nga instinkti i tyre nëse do të ngacmonin ndonjë femër, nëse do të thyenin ndonjë pemë, do të grabisnin ndonjë makinë apo do të bastisnin ndonjë dyqan. Qyteti ishte në mëshirë të fatit.
Të nesërmen e mitingjeve, sikur s’kishte ndodhur asgjë, shteti funksiononte me qytetarët. Dilte policia, vinin tatimet, funksiononin institucionet etj., etj.
Për qytetarët e për të gjithë njerëzit e ndershëm të këtij vendi, ligji ka funksionuar e nuk ka bërë tolerim as në ditët më të këqija. Ndërkohë që për një kategori tjetër, për barbarët, hajdutët e shkatërruesit që grabisnin qytetin në çdo protestë të PD-së, ligji nuk funksiononte asnjëherë.
Shteti i toleroi mitingashët e asaj kohe, a nga frika a nga paaftësia nuk di ta them … Por rezultati ishte që ajo turmë e dhunshme, shkatërroi, dhunoi e mbajti peng qytetin derisa erdhi në pushtet. Sigurisht më të dhunshmit ishin më të shpërblyerit e PD-së, tanimë në pushtet. Mjafton t’i ktheheni ndonjë foto të atyre që rrinin mbi tank me kallash në dorë për të kuptuar se janë të njëjtët që më pas u bënë drejtorë e sipërmarrës të rëndësishëm, deri edhe pronarë të zonave më të shtrenjta të Tiranës. Të njëjtët, pas ardhjes në pushtet, njëlloj të armatosur vazhdonin ta dhunonin shtetin për së brendshmi.
Ngjarjet e paloprotestave të fundit për mua janë një film i vjetër që titullohet “Na erdhën barbarët”. Ditën e diel pashë serinë e radhës së këtij filmi, që ka kohë që po na rishfaqet me shkatërrimin e bunkerit, të hyrjes së Kryeministrisë, dhunimin e bashkisë e së fundmi të parkut të lojërave. Njësoj si 15 vjet më parë, gjatë këtyre protestave, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, simboli i qytetarisë e civilizimit, u shfaqën në parakalim si triumfatorë një hordhi vandalësh që tërhiqnin zvarrë trofetë, zgara, hunj e pjesë ekskavatorësh, duke dhunuar edhe fizikisht qytetarë që rastësisht u ndeshën me ta.
Këtë të diel, nën shembullin e këtyre vandalëve, edhe elita e Partisë Demokratike, nxitoi të merrnin meritat e protestave të dhunshme te parku i fëmijëve. Deputeti i Kukësit, deputeti i Shishtavecit, deputeti i Kamzës, deputeti i Devollit, një deputet nga Vlora dhe dy deputetë nga rrethinat e Durrësit, njëri syresh veshur si kolonizator, me kobure në brez e me një çantë krahaqafë mbushur me karikatorë rezervë, u vunë në krye të një çete për të stisur një ngjarje pa ngjarje, të një kauze pa kauzë, me një arrogancë e prepotencë që sa më shumë shtohej aq më qesharake bëhej në sytë e qytetarëve.
Në parantezë, dua të falënderoj të gjithë qytetarët e Tiranës që ndiqnin indiferentë e me sarkazëm këtë ngjarje groteske. Si kundër kam edhe një falënderim të sinqertë për të gjithë deputetët e PD-së të Qarkut të Tiranës, që e bojkotuan masivisht këtë palaçollëk. Më vjen mirë që qytetaria e këtyre prevaloi mbi kauzën qesharake të kryetarit e të atyre të tjerëve.
Ne këtë film e kemi parë dhe e dimë si përfundon dhe prandaj nuk do të sillemi si 15 vjet më parë e nuk do t’i tolerojmë këta që të vazhdojnë përherë e më agresivë nën shembullin e pasurimit të të parëve të tyre me dhunë e me forcë.
Ne kemi marrë përsipër të bëjmë shtet duke vendosur barazinë ndaj ligjit si parimin kryesor nga ai që s’paguan energjinë elektrike, tek ata që s’paguajnë taksa, deri tek ata që ndezin një cigare nëpër bare. Por do të jemi më të rreptë me forcën e ligjit e tolerancë zero ndaj gjithë atyre që kanë shpërfillur çdo ligj në këtë vend, duke dhunuar e vandalizuar pronën publike e private, qofshin këta nën mburojën e Partisë Demokratike.
Për të qenë të drejtë me qytetarët, nuk do të jemi tolerantë me abuzuesit.
Nuk ka qytetar të Tiranës e të Shqipërisë që mendon se deputetit të Kukësit a kolonizatorit me kobure iu pre barku për parkun e fëmijëve të Tiranës. Nuk do shumë mend të kuptosh që ata po provokojnë incidente të qëllimshme për të fshehur të vërtetat e mëdha.
Dy janë të vërtetat e mëdha: e para, sa më shumë kantiere e punë publike hapen në Tiranë, aq më shumë zhvlerësohet ish- kryebashkiaku, kryetar i PD-së e aq më aktualë bëhet reklama me gërhima te qytetarët e Shqipërisë edhe për fushatën e 2017-s.
E vërteta tjetër e madhe është frika e atyre që nuk ishin në protestë. Frika e ish-pushtetarëve të mëdhenj, frika e ish-grabitësve e abuzuesve të mëdhenj të këtij vendi, që nuk i zë gjumi natën, nga prognoza e reformës në drejtësi, reformë të cilën nuk e do vetëm çdo qytetar i këtij vendi, por e do edhe pjesa më e madhe e PD-istëve, të cilët mezi presin të heqin qafe ish-udhëheqësit e tyre të dalë boje, ata që morën peng vendin për tetë vjet me radhë e që mbajnë peng sot Partinë Demokratike.
E dimë ne se i kemi dëgjuar nëpër biseda, por e dinë edhe drejtuesit e Partisë Demokratike, të cilët po sajojnë lloj-lloj pretekstesh për të mbajtur të vetët në bojkot, larg Parlamentit. Vota masive për reformën, është votë për shtetin e së drejtës, duke filluar nga dënimi i të paprekshmëve.
Kjo reformë, me bojkote pa bojkote, me zgjedhje pa zgjedhje, me referendum pa referendum, do të votohet, duan apo s’duan këta, e shumë shpejt të gjithë do i shohim rezultatet.
Në fund kam një lajm të mirë për të frikësuarit e mëdhenj të Partisë Demokratike. Burgu 313 po rikonstruktohet e po vjen në një standard shumë më njerëzor dhe është drejt përfundimit.
Shpresoj që ky lajm t’ju ngushëllojë sado pak.
Marrë nga gazeta "Shqip"





