Nga Mero Baze

Përpjekja e Edi Ramës për të njohur për kryetar të Partisë Demokratike Lulzim Bashën, dështoi, siç pritej. Ndodhi rëndom si në ato skenat mes fëmijëve, kur t’i thërret shokun në telefon për të dalë që të luash me të, dhe në vend të tij, përgjigjet babi, i cili thotë, “shoku do bëjë mësimet, nuk vjen dot”.

Edhe sot, pas letrës publike të Edi Ramës, në vend të Bashës, i pari ju përgjigj Sali Berisha. Ai shpjegoi gjatë se “Basha i ka kërkuar 36 herë dialog Ramës” (i paska numëruar çdo vakt) dhe se Rama nuk mund t’i kërkonte tani dialog, pasi ai nuk po zbaton drejtë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Për të qenë më i sigurt, pas Berishës foli dhe Bylykbashi, i cili gjeti dhe arsyetimin juridiko- politik për letrën e Ramës, që sipas tij, ishte ftesë për t’u marrë vesh, që të mos merren vesh!

Dhe pastaj Luli i përmblodhi të dyja dhe shpëtoi nga takimi.

Refuzimi për t’u takuar në këtë pikë nuk ka ndonjë vlerë për reformën në drejtësi, pasi reforma në drejtësi votohet në Kuvend, dhe nëse PD nuk do ta votojë, duhet ta shprehë me votë vullnetin e saj. Dhe nëse Basha do të takohej me Ramën, nuk kishin çfarë bisedonin për reformën në drejtësi, pasi asnjëri prej të dyve nuk është marrë me të. Rama kam frikë se ende se ka lexuar të gjithë, ndërsa Basha di vetëm ato rreziqe që i tregon Berisha.

Takimi nuk vlen as për ndonjë çështje rutinë apo teknike që ka mbetur pezull, pasi nuk ka të tilla. Përfaqësuesit e PD në Komisionin e Posaçëm thuajse i kanë tejkaluar problemet për votimin e reformës dhe formalisht janë shprehur dakord, pavarësisht se pastaj situata përmbyset me kushtëzime të tjera.

Në aspektin politik, takimi vlente vetëm për të konfirmuar klimën e besimit tek reforma nga të dy palët dhe për ta votuar atë. Kjo klimë besimi shikohet që nuk ekziston, dhe për ta përmbysur atë duhet një vullnet i fortë politik shumë pozitiv, i cili siç shikohet, nuk përfaqësohet më nga Basha.

As Berisha, por dhe vet Basha, nuk është i sigurt se mund të marrë vendime sy më sy dhe ballë për ballë me Ramën. Ai ka nevojë për një distancë, për një pauzë, për një konsultim, për një sqarim të situatës dhe pastaj për një vendim. Ai nuk thotë dot atë që mendon ballë për ballë, pasi del ai tjetëri dhe pa pikë turpi thotë që “Basha mendon se…” dhe thotë krejt të kundërtën e asaj që ka thënë Basha. Ja ka bërë këtë me dhjetëra herë deri tek rasti i fundit kur ishte në Uashington, që u nis nga Uashingtoni duke thënë do votojmë reformën dhe zbriti në Rinas, duke thënë nuk e votojmë kurrë.

Këtu është i gjithë problemi i Bashës. Ai mund të shkojë t’i thotë dhe këto që tha në letër në tryezë me Ramën, por ka frikë se mund të flasë dhe Rama, dhe ai duhet t’i kthejë përgjigje. Për t’i kthyer përgjigje, duhet të çohet të bëjë një telefon, të kthehet prapë dhe të t’i thotë të kundërtën e asaj që ka në mendje.

Dhe për këtë nuk duhet t’i biem më qafë. Ky aq e ka fuqinë. Ende nuk ka mbërrit në moshën që të shkojë në takim pa prindër. Jo vetëm se nuk kanë besim prindërit, por se dhe bashkëbiseduesit, duan të jenë të sigurt se nuk po i gënjen këtë radhë.

Ndaj nuk ja vlen të vëmë alarmin pse dështoi përpjekja për ta takuar. Asgjë nuk ka dështuar. Bile unë mendoj se ftesa ka pasur suksesin e saj. Na ka treguar të gjithëve, me kë duhet folur.

Marrë nga “Tema”