Shqipëria ka fituar, ashtu si ndaj Austrisë edhe ndaj Luksemburgut dallimi është bërë në pjesën e dytë, por De Biasi në një bilanc të dy ndeshjeve miqësore e nis duke evidentuar vështirësitë e terrenit në Josy Barthel. “Le ta nisim nga kjo mbrëmje, në këtë terren ishte e pamundur të  mbaje ekuilibrin, e provuan që dje në stërvitje kur u vra Xhaka, ndërsa sot ishte edhe më keq. Pothuajse e pamundur të qëndroje në këmbë edhe me ndihmën e takave të gjata. Sa për atë që kërkonim  për mua ishte një ndeshje e luajtur mirë, ku nuk rrezikuam dhe ku krijuam gjithsesi raste për gol.”Ka nga ata që do ti thonë se në fund të fundit ishte një fitore ndaj Luksemburgut modest, por De Biasi edhe këtu ka vendosur ti paraprijë të gjithëve.

“Është e qartë që do thuhet, fituam kundër Luksemburgut por i kujtoj që Luksemburgu pak kohë më parë mundi Greqinë ndërsa dy vjet më parë barazoi në Itali 1-1. Ndeshjet duhet ti luash, të gjithë kundërshtarët sot janë të organizuar dhe mundohen të ta bëjnë jetën të vështirë. Ajo që më pëlqeu sot ishte se lojtarët hynë në fushë me përqëndrim. Skuadra u ndryshua me 10/11 pasi vetëm Berisha ishte dhe besoj se nga rezultati dhe këndvështrimi i lojës, ajo që u pa ishte një ndeshje e mirë” Një tjetër ndërhyrje në sparkatë nga De Biasi kur pyetet nëse luajti më mirë Shqipëria 1 ndaj Austrisë apo ajo 2 daj Luksemburgut.

“Në fushë luajti Shqipëria e parë, sic ishte e para dhe ajo ndaj Austrisë. Nuk ka një Shqipëri 1 dhe një Shqipëri 2. Këta janë djem të barabartë dhe mund të luajnë të gjithë në varësi të momentit dhe kundërshtarit, por duke kërkuar gjithmonë të përmirësohemi në disa aspekte”.

De Biasi jep edhe shpjegimin se pse Shqipëria ka luajtur më mirë në pjesën e dytë në dy takimet e fundit.“Në Vjenë gabuam në bërjen e gjërave që kishim pregatitur dhe thënë gjatë javës, e qartë që kur je në fushë ka dhe tension pasi ke kundërshtarë të fortë. Në pjesën e dytë në pushim ju tregon disa gjëra dhe ndryshohet, ndërsa sot ne mund të kishim shënuar që në pjesën e parë nëse portieri nuk do rrëzonte Cikalleshin, pastaj në të dytën ishim në superioritet numerik dhe e shfrytëzuam duke punuar nga kerahët pasi nëse sulmonim vetëm në qendër nuk do ti canim”.Pyetja që vlen një pasuri është nëse dikush nga lojtarët e ka prerë biletën për Francë. De Biasi tenton driblimin.“Ne e kemi prerë biletën, nëse do vini dhe ju për të na mbështetur do të ishte një kënaqësi, por shikoj që kudo shkojmë na mbështesin tifozët”.

Përgjigja nuk vjen edhe nëse ngulmohet, me De Biasin që kërkon kohë.“Të shohim, më lër kohën të mendoj, kemi shumë kohë për të vendosur, kjo është një zgjedhje e rëndësishme dhe me siguri që nuk dua ti ha hakun askujt”.