Nëpër kafenetë e Pogradecit mërmëritet që kryetarin e bashkisë nuk mund ta takosh pa marrë më parë aprovimin e Ermir Pashollarit.
Djaloshi që nuk i ka mbushur akoma të tridhjetat mban mbi supe postin e shefit të kabinetit të kryebashkiakut Eduart Kapri. Pashollari është gjithashtu baxhanaku i kryetarit të bashkisë.
Rasti i Pashollarit nuk është i izoluar në administratën e bashkisë Pogradec. Të dhënat e siguruara nga “BIRN” tregojnë që pas zgjedhjes, Kapri ka emëruar një numër të afërmish dhe familjarësh në administratën e bashkisë, apo të ndërmarrjeve publike që varen prej saj.
Emërime të tilla janë në kundërshtim me ligjin, megjithatë kryebashkiaku nuk duket i shqetësuar, duke thënë që të afërmit e tij meritojnë një mundësi për tu bërë pjesë të administratës publike.
“U ofrova një mundësi, por kjo nuk është afatgjatë. Edhe sikur unë të dua nuk mundem sepse i bie pastaj që unë të merrem me punën e çdo njërit aty”, u shpreh Kapri për “BIRN”.
Familjarët e punësuar
–Luan Pashollari – babai i baxhanakut dhe shefit të kabinetit të kryetarit të bashkisë, është sot në krye të zjarrfikësve, i emëruar sapo ky shërbim i kaloi në varësinë pushtetit vendor. Përpara se të emërohej në krye të zjarrfikësve të qytetit, Luani ka shërbyer në policinë e shtetit, nga e cila u largua në vitin 2006 për mungesë të arsimit përkatës.
-Mundësi punësimi në një post të rëndësishëm Karpri i ka dhënë edhe nipit, djalit të motrës Marsel Isallarit, i cili është emëruar si drejtor i ndërmarrjes të ujësjellës kanalizimeve Pogradec.
-Të fejuarën e nipçes drejtor, Viola Cicin, Kapri e ka emëruar në krye të Drejtorisë Ekonomisë dhe Turizmit në bashki. Vajza 28-vjeçare ka marrë përgjegjësinë të menaxhojë projektet e qytetit me aspirata të mëdha për zhvillimin e turizmit.
-Një tjetër kushëri i kryetarit, Altin Bardhi, është emëruar në postin e kryeinspektorit në bashki, por megjithatë Kapri shprehet se tashmë e ka shkarkuar pasi kishte performancë të dobët.
Lidhjet familjare të një numri punonjësish të administratës së bashkisë Pogradec me kryetarin e bashkisë bien ndesh me një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2006, Për Shmangien e Nepotizmit në Administratën Publike, i cili ndalon “të ushtrojnë detyrën brenda një institucionit publik punonjës të lidhur mes tyre me lidhje familjare, gjinie apo krushqie.”





