Takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor këtë vit do të mbahet në Durrës në datat 30-31 mars, për të diskutuar mbi përgatitjen e projekteve rajonale të ndërlidhjes në fushën e transportit dhe energjisë.
“Në vijim të Samitit të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Vjenë, më datë 27 gusht 2015, dhe në përgatitje të Samitit që do të mbahet në Paris në korrik 2016, Ministria e Punëve të Jashtme organizon në Durrës, më 30-31 mars 2016, takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me praninë e Komisionerit të BE-së për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, z. Hahn, Sekretarit të Përgjithshëm të RCC, z. Svilanovic, ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, z. Lubomir Zaoralek në kapacitetin e tij si kryesues i radhës i Grupit të Vishegradit (V4) si dhe Sekretarit të Shtetit, z. Harlem Desir dhe Nënsekretarit italian për Punët e Jashtme Vincenzo Amendola si të ftuar nderi”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme.
Ky Ministerial do të jetë një mundësi për pjesëmarrësit për të vlerësuar dhe thelluar më tej punën e bërë lidhur me përgatitjen e projekteve rajonale të ndërlidhjes në fushën e transportit dhe energjisë, në kuadër të përgatitjeve për Samitin për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet në Paris në muajin korrik të këtij viti.





