Në një prononcim për gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar se kryeministri Edi Rama është përpjekur për dy vite me radhë të sabotojë reformën në drejtësi dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, por, sipas tij, ato do të bëhen. Basha shtoi se reforma në drejtësi nuk është qëllim në vetvete, por do t’i japë fund krekosjes dhe arrogancës qeverisëse që, sipas tij, po u vjedh shqiptarëve edhe kacidhen e fundit nga xhepi.

"A mund të ketë dialog kur njëra palë në tavolinë nxjerr armën? Sigurisht që jo. Edi Rama në fakt nuk vë armën në tavolinë, por bombën atomike kushtetuese. Po diskutojmë që të bëjmë disa ndryshime në Kushtetutë për drejtësi më të pavarur, për rregulla kushtetuese dhe ligjore, ndërkohë që Rama thotë që nuk dua të zbatoj rregullin aktual, që thotë se nëse një deputet kapet me fondet publike shkon në Gjykatën Kushtetuese," – tha Basha.

Kreu i demokratëve përmendi për këtë vendimin e Gjykatës e Kushtetueses në rastin e shqyrtimit të mandatit të deputetit Koço Kokëdhima. "Nuk negociohet as Kushtetuta dhe as vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Pa zbatuar vendimin, dialogu me Edi Ramën është baraz me dialog me terroristët dhe Partia Demokratike nuk dialogon me terroristët," – u shpreh kryetari i Partisë Demokratike.

Demokratët kanë depozituar në Kuvend kërkesën për dërgimin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese edhe mandatet e Rakip Sulit dhe Valentina Leskajt. "Rakip Suli jep me qira ndërtesën e tij për OSHEE apo Valentina Leskaj që merr një të tretën e hekurudhës për djalin e saj. Gjykata Kushtetuese duhet të marrë në shqyrtim këto dy raste, por Edi Rama refuzon të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur korrupsionin, ashtu siç mbrojti krimin, sepse këto janë dy këmbët e pushtetit të tij," – theksoi Basha.