Adhuruesit e jetës së natës dhe muzikës “live” e njohin mjaft mirë Era Rusin, e cila shquhet si një nga zërat më të mirë aktualisht në treg. Këngëtarja është rikthyer në ekran me një sfidë mjaft të veçantë, e gati-gati të rrezikshme, prezantimin nën petkun e artistëve të tjerë me famë botërore. Të hënën që lamë pas, Era u prezantua si Lady Gaga dhe interpretimi i saj e shpalli fituesen e mbrëmjes, ndonëse në këtë intervistë për “VIP Pages”, Era na rrëfen se, “fustanin me copa mishi nuk besoj se do mund ta vishja kurrë në një tapet të kuq”. Por cilët janë emrat që Era Rusi do të sillte me kënaqësi dhe do të preferonte të ishte nën petkun e tyre? Ajo përmend disa nga emrat femërorë më të adhuruar në botë, për të cilët thotë se është rritur me zërin e tyre.
“Your Face Sound Familiar” është përvoja jote e parë e këtij lloji? Si ndjehesh?
Për herë të parë zhvillohet në televizionet shqiptare ky format dhe jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij spektakli, sepse të jep mundësinë të shpërfaqesh në sytë e publikut në shumë dimensione. Tashmë të gjithë po shohin një Era më të kompletuar dhe nën petkun e disa idhujve botërorë. Të arrish të bësh performancë krejtësisht të ndryshme çdo javë është edhe një sfidë për mua personalisht.
Si është të hysh nën petkun e një artisti tjetër?
Është e vështirë, sepse secili nga ne mundohet të jetë unik dhe emër i përveçëm në show biz. Por meqë formati është i tillë, atëherë të gjithë ne si ekip, jemi të angazhuar të sjellim më të mirën dhe maksimumin për të qenë sa më afër origjinalit dhe natyrisht të sjellim edhe spektakël në skenë.
Lady Gaga nuk është një personazh i lehtë, megjithatë ti arrite të ishe fituese nëpërmjet saj. Çfarë mendon se nuk mund të imitosh dot kurrë prej saj?
Fustanin me copa mishi nuk besoj se do mund ta vishja kurrë në një tapet të kuq (qesh).
Cili do të jetë personazhi i radhës që do të sjellësh në këtë spektakël?
Javën tjetër do të sjell në skenë një artist mashkull, shumë i adhuruar nga të gjithë, Bon Jovi. Është një sfidë shumë interesante, sepse do të më duhet që përveç zërit, t’i përshtatem fizikisht… Nuk e di do mi mbulojnë ca gjëra dhe të shtojnë ca të tjera… Se si do transformohem unë javën që vjen, do ta shikoni të hënën (qesh).
Po ai që do ta imitoje me gjithë dëshirë dhe pse?
Do kisha shumë dëshirë edhe pse vetëm për një natë të isha një Christina Aguilera, apo Witney Houston, Aretha Franklin apo Tina Turner. Jam rritur me zërin e tyre dhe mendoj se vokalisht më shkojnë shumë.
Veç këtij impenjimi, cilat janë aktualisht angazhimet e tua në muzikë?
Unë çdo fundjavë jam pjesë e një koncerti live, ku jam më afër se kurrë me fansat dhe adhuruesit e jetës së natës në kryeqytet. Atë skenë e dashuroj gjithmonë e më shumë, sepse jam mësuar me të dhe nuk më ka zhgënjyer asnjëherë. Sepse kam marrë gjithmonë energjinë dhe duartrokitjet më të sinqerta dhe më të zjarrta.
Do të kemi një këngë të re në fillim të verës?
Aktualisht jam duke punuar një material të ri, të planifikuar për verë.
Duket sikur ke hequr dorë nga videoklipet. Pse?
Sepse unë nuk jam këngëtarja që duhet të dal në ekran medoemos, pavarësisht se si është kënga. Pra, duhet një këngë e mirë dhe më pas mendohet për videoklipin.
Kohëve të fundit shu-më këngëta-re gjykohen se bëjnë gjithçka për famë. Çfarë mendimi ka Era për këtë çështje dhe cila do ishte sakrifica më e madhe që do bëje për hir të popullaritetit?
Fama dhe suksesi nuk shkojnë gjithmonë bashkë, prandaj unë kam preferuar këtë të dytën. Dua të jem e suksesshme me këngë të mira dhe të mbahem mend për vokalin dhe artin tim dhe jo për gjëra të tjera që të japin famë, por që nuk kanë të bëjnë me atë që unë jam dhe ndjej. Nuk do të bëja ndonjë sakrificë të madhe të paparë. Jam e kënaqur këtu ku jam dhe me popullaritetin që kam. Ndoshta mund të kisha më shumë po të bëja skupe, por unë kjo jam dhe në këtë aspekt nuk dua të ndryshoj.
Je mjaft e rezervuar kur është në pyetje jeta jote private. Pse? Mund të na zbulosh diçka prej saj sot?
Ndryshe pse quhet private?! (Qesh) Nëse do të ketë diçka zyrtare që ndryshon statusin në gjendje civile, atëherë mund të them diçka publike.
Intervistë marrë nga Gerilina Kodheli për Balkanweb