Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, gjatë vizitës në SHBA u takua dhe me drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore për Shqipërinë, Patrizio Pagano.

Gjatë këtij takimi, Basha shprehu shqetësimin për rritjen e borxhit, rënien në minimumin e mundshëm të konsumit, falimentimin e mijëra bizneseve të vogla si pasojë e politikave të ndjekura nga qeveria, koncesioneve korruptive etj.

“Koncesionet korruptive po vendosin një kosto shumë të rëndë në buxhetin e shtetit dhe që po angazhojnë burime financiare si në fushën e shëndetësisë një fond prej  338 milionë eurosh, ndërsa janë përgatitur për të dhënë me koncesion mbledhjen e TVSH-së, ku koncesionari parashikohet të marrë 140 milionë euro në 10 vitet në vijim”, theksoi Basha.

“Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë dhe të INSTAT-it janë shqetësuese për sa i përket borxhit, i cili ka arritur afro 74% . 1,2 miliardë euro janë marrë borxh në 2 vjet e gjysmë dhe nuk është realizuar asnjë investim i ri, investimet e nisura kane ndaluar së zbatuari, papunësia në shifra alarmante dhe konsumi në nivelin më të ulët”, tha Basha.

Lideri i opozitës e ka njohur Pagano-n dhe me ofertën e Partisë Demokratike për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe për t’i hapur rrugën zhvillimit dhe punësimit. Taksë e sheshtë 9%, TVSH 15%, vëmendje të veçantë ndaj sektorit të bujqësisë. Drejtori ekzekutiv i Bankës Botërore ka vlerësuar faktin që opozita ka një platformë konkrete për të adresuar çështje të zhvillimit ekonomik të vendit​.