Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, iu bashkua besimtarëve në Meshën e së Dielës së Larit në Kishën Katolike Shqiptare "Zoja e Shkodrës", e cila shënon dhe nisjen e Javës së Madhe të Pashkëve Katolike. Kremtimi i Dielës së Larit në Kishën Katolike Shqiptare "Zoja e Shkodrës" në Hartsdale, New York, nisi me një përshëndetje nga famullitari Dom Pjetër Popaj, i cili i shprehu mirënjohjen Bashës, që iu bashkua në këtë ditë besimtarëve katolike shqiptarë që jetojnë në New York.
Pas meshës, famulltari Dom Pjetër Popaj dha një pritje në Qendrën Kulturore "Nënë Tereza", duke uruar të gjithë besimtarëve Javën e Madhe të Pashkëve. Basha theksoi se me besim tek Zoti e tek Shqipëria, nëse jemi të bashkuar e me zemër të bardhë, do ta bëjmë edhe Shqipërinë tonë evropiane.
Kryetarit të Partisë Demokratike iu rezervua dhe një pritje në Shtëpinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës "Vatra", ku u prit nga kryetari Dr. Gjon Buçaj, drejtues të bordit dhe anëtarë të "Vatra", etj. Basha zhvilloi një bashkëbisedim me drejtues dhe anëtarë të "Vatra" për situatën në Shqipëri, vizitën në SHBA dhe ndau me ta alternativën e Partisë Demokratike për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe për të kthyer shpresën shqiptarëve.
"Kjo qeveri e di që gjykimi popullor po të bëhet sot apo të dielën e ardhshme do ta nxjerrë menjëherë në opozitë. Ndaj po merr të gjitha masat që t’i rrethojë zgjedhjet e ardhshme me kriminele dhe me paratë e korrupsionit. Ato 1 miliardë e 200 milionë dollarë që i mungojnë buxhetit të shtetit, që nuk u bënë kurrë shkolla, spitale, rroga, pensione, i bien 400 dollarë për frymë, nga ato 400 dollarë për frymë, këta mendojnë se ditën e zgjedhjeve duke iu ndarë nga 20 apo 15 dollarë për frymë do t’i blejnë edhe katër vitet e ardhshme. Po ta shikojmë vetëm matematikisht është biznes i mirë, apo jo?! Merr 400 për vit e kthe 20 për katër vjet. Por sigurisht është rrënim, shkatërrim i parikthyeshëm i Shqipërisë dhe shanseve të saj për të ecur përpara. Prandaj zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë domosdoshmëria numër një që Shqipëria të ecë përpara dhe këtu kam kërkuar dhe kam marrë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës," – tha Basha.





