Instituti Republikan Amerikan ka mirëpritur dhe inkurajuar nismën e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që 35 përqind e listës së kandidatëve për deputet në Kuvendin e Shqipërisë të jenë të rinj. Presidenti i Institutit Republikan Ameriakan, Mark Green, theksoi në takimin me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, se "në Shqipëri ka ardhur koha për një demokraci të re."

Në një njoftim të Partisë Demokratike theksohet se Basha ka kërkuar ndihmën e IRI për të implementuar në standardet më të larta të mundshme modelin amerikan për përzgjedhjen e kandidatëve të rinj për deputet në Kuvendin e Shqipërisë, gjë që u mirëprit me kënaqësi nga Green. Në bashkëpunim edhe me Fondacionin për Liri dhe Demokraci, Instituti Republikan Amerikan do të ndihmojë në trajnimin e të rinjve dhe grave në politikë.

Basha ka vlerësuar rolin e pazëvëndësueshëm të SHBA në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në pavaresinë e Kosovës, vendosjen dhe ruajtjen  e normave dhe standardeve demokratike. Për të arritur destinacionin final, integrimin europian dhe standardet më të larta të demokracive perëndimore, për Bashën duhet një bashkëpunim dhe kompromis i madh. "Për këtë, – tha Basha, – koha kërkon të rinjtë të jenë aktiv dhe të kintribuojnë me modelin e tyre për të arritur atje ku shqiptarët duan."