Kongresi i Partisë Socialiste vendosi që më 9 prill, socialistët do të shkojnë në referendumin që propozoi Edi Rama, datë në të cilën do të vendoset nëse duhet të shkohet në zgjedhje për kryetarin e PS-së, apo kryetari rikonfirmohet kur është kryeministër. Ben Blushi e quajti nul referendumin ndërkohë për Ramën është demokratizim brenda partisë.
Pas votimit të statutit ka vijuar debati Rama-Blushi. Kryeministri ka kërkuar mbajtjen e referendumit lidhur me statutin, për t’i dhënë fund, siç tha ai, “çdo alibie”. Ndërsa Blushi ka deklaruar se, “referendumi bëhet për çështje dhe jo njerëz” duke shtuar se me votimin e statutit të ri janë shkelur të gjitha normat.





