Nga Zamira Çavo
Në historinë tonë 25-vjeçare jam e bindur se Partia Socialiste ka pasur jo vetëm vendin e vet të rëndësishëm, por ka qenë dhe një vlerë e shtuar e demokracisë së brishtë shqiptare. Si në asnjë parti tjetër, modeli socialist ka qenë modeli më demokratik mes partive të tjera shqiptare (për aq sa mund të flitet për demokraci në Shqipëri).
Partia Socialiste, që nga krijimi i saj, ka ecur përmes filozofisë së lirisë dhe kjo për dy arsye:
– së pari, nga nevoja për të dëshmuar para opinionit publik se ishte një parti tjetër, e ndryshme nga Partia e Punës. Ndaj dhe liria, ndoshta edhe më tepër se në Partinë Demokratike, zuri vend në të gjithë organizimin kapilar të saj;
– së dyti, lidershipi i parë socialist ishte lidershipi që kishte kohë që fliste për lirinë dhe demokracinë e që e kuptoi shumë më shpejt se të tjerët nevojën për liri. Ndaj dhe sjellja e tyre politike u karakterizua nga një frymë liberale.
Në rrugëtimin e saj, kjo parti ka njohur ulje-ngritjet e saj, kritika dhe akuza brenda vetes, ka njohur fraksione dhe shkëputje, por ka ditur të ringrihet me një forcë që buron pikërisht nga filozofia e saj. Katarsisi i iniciuar nga z. Nano dëshmoi, me zë dhe figurë, që kalbësia mund të shponte tejpërtej edhe një parti me frymë lirie. Katarsisi, që u duk se po e çonte partinë në shkatërrim imazhi dhe funksioni, realisht e forcoi atë. Më vonë, luftërat e brendshme çuan në krijimin e LSI-së, e cila, edhe pse doli nga gjiri i kësaj partie, nuk arriti të marrë dot filozofinë e partisë mëmë; lirinë dhe karakterin demokratik! Debatet, diskutimet dhe ndryshime të herëpashershme në lidershipin socialist, e kanë bërë këtë parti më se të qëndrueshme si formacion politik e demokratik. Falë kësaj fryme, Edi Rama erdhi në krye të partisë. Nuk di asnjë parti tjetër të ketë ndryshuar liderin e saj si Partia Socialiste. Dhe kjo është një meritë e padiskutuar e socialistëve.
Rilindja, e sjellë rishtas si një shtojcë e Partisë Socialiste, nga mbështetësit e kryetarit aktual të saj, duke mos qenë pjesë e funksionimit real të kësaj partie, mbeti si një pjesëz e “ngjitur” me të parën. Kjo Rilindje nuk arriti dot të integrohet së brendshmi me Partinë Socialiste, për shkak se filozofia e këtij grupimi me emrin e madh “Rilindje” nuk është filozofia e lirisë. Rilindja e mbështeti sjelljen e saj politike në dy shtylla:
– bindja ndaj kryetarit, që do të përkthehet në besnikëri ndaj çdo mendimi dhe veprimi të tij;
– krijimi i një imazhi tjetër për Partinë Socialiste, si një parti e rilindur që nxjerr në “pension” politik Partinë Socialiste ekzistuese.
Realisht, Rilindja e forcoi pozitën e vet politike me ardhjen në pushtet të së majtës. Kjo e bëri edhe më të ndjeshëm dallimin që ekziston mes Partisë Socialiste dhe Rilindjes. Në këto tre vjet qeverisjeje, Rilindja shfaqet në të gjithë sjelljen e saj politike të dukshme për publikun, si një parti e re që dëshiron të shkëputet tërësisht nga e vjetra. Dhe mënyra më e mirë është “lënia jashtë dere” e socialistëve “të vjetër”. Arroganca dhe show mediatik që shoqërojnë politikat rilindëse, e kanë vënë bazën e Partisë Socialiste në dyshimin e madh: A është vërtet Partia Socialiste që qeveris? Dhe kur bëhet një pyetje e tillë, rezultati përkthehet shpejt në votimet e radhës. Por e gjitha kjo situatë nuk do të mund të kalonte në heshtje në Partinë Socialiste, të mësuar me liri dhe demokraci. Ndaj filluan kritikat dhe akuzat. Pavarësisht opinionit të ndryshëm që ekziston në lidhje me këto kritika, pavarësisht anatemimit që i bëhet Blushit apo Hafizit, Lakrorit apo Agos, apo dikujt tjetër, personalisht e gjykoj se kritikat e tyre tregojnë që Partia Socialiste po ringjallet pas disa vitesh inekzistence. Kjo e ka detyruar Rilindjen të nxitojë në aktivitetin “zgjerues” të partisë. Ndaj z. Rama, i cili pak kohë më parë shpërndante lejet e legalizimeve, sot shpërndan teserat e partisë individëve që më së shumti as nuk e njohin, as nuk e vlerësojnë e as nuk kanë bindjen e tyre në forcën e kësaj partie. Kjo do të thotë se tashmë Partia Socialiste është përballë provës së saj finale: Kush do të fitojë?
Është në të mirën e demokracisë që kjo parti të rigjejë vetveten e të ringjallet, pasi nëse elementi demokraci dhe fryma e lirisë humbasin dhe brenda kësaj partie, Shqipërisë do t’i duhet kohë për të rimarrë frymën e demokracisë.
Shumë shpejt vijnë zgjedhjet elektorale. Sot, demokracia nuk mund të pranojë më rolin absolut të liderit të partisë në zgjedhjen e përfaqësuesve të popullit. Por, nëse partitë shqiptare mbysin përfundimisht demokracinë brenda tyre dhe shtojnë fasadat me show-n “një anëtar, një votë”, asgjë e mirë nuk na pret. Koha kërkon që populli të njohë paraprakisht skuadrën e ardhshme qeverisëse, nga të dyja krahët e politikës. Vetëm kështu vota e tij do të jetë e drejtë. Dhe fryma e partive merr rol mjaft të rëndësishëm edhe për këtë fakt. Ndaj edhe problemet e Partisë Socialiste nuk janë vetëm “pronë” e socialistëve, por edhe problemet tona si qytetarë.
Kongresi i Partisë Socialiste do të na japë një shenjë, nëse do të ringjallet ose jo Partia Socialiste!
Gazeta "Shqip"





