Shqipëria humbi një fëmijë për të cilin dha edhe lek buke vetëm e vetëm që ai të shpëtonte. Shqipëria humbi Kristi Mazen, një djalë 11-vjeçar që luftoi krejt i pabarabartë me sëmundjen e tij për më se një vit, dhe në betejën finale me të, zemra e tij e vogël pushoi së rrahuri, për pikëllimin e zemrës së prindërve të tij e për atë të çdo shqiptari.

Përveç njërit!…

Përveç Ilir Beqes, të cilit 1 milion shqiptarë votuan në 23 qershor të 2013-s me të dyja duart që ai ta merrte në dorë shëndetin e tyre.

Votuan që Ilir Beqja të trajtonte me urgjencë shëndetësinë shqiptare, ndërsa Beqja, e vetmja urgjencë që ka trajtuar deri më sot është bjerrja e parasë së shqiptarëve nga xhepat e tyre drejt xhepave të nuses së djalit të “komunistit lule” Gogo Nushi.

Sot shqiptarët vajtojnë me pikëllim humbjen e një djali i cili mund të ishte i gjithkujt, por që me një sëmundje që e vuan vetëm 1 në 1 milion fëmijë, ky fat qëlloi që t’i binte Kristi Mazes. Fëmijë i dy prindërve të mrekullueshëm, por ashtu si shumica e shqiptarëve, të pamundur.

Të pamundur për të siguruar 200 mijë euro për transplantin e mëlçisë të birit të tyre, por me guximin që vjen prej dëshpërimit e dhimbjes për fëmijën, për të trokitur në çdo derë të shtetit shqiptar, të medias shqiptare, e në fund të vetë bashkëkombasve të tyre.

Prindërit e Kristit nuk zgjodhën rrugën më të shkurtër, atë të lypjes së mëshirës, por iu drejtuan me besimin e qytetarit të ndershëm dyerve të shtetit për të cilin luftojnë, kontribuojnë e në fund të ditës presin të paktën që ai t’i dëgjojë. Një arsyetim normal në një kohë anormale që nuk premtoi për fëmijën e tyre, por babai i Kristit besoi. Vetëm se kishte një problem në të gjithë këtë betejë, Goliathi me të cilin duhet të përballet babi i Davidit-Krist, është Ilir Beqja.

Një njeri pa formë, pa moral, pa dinjitet, pa burrni, pa ndjenjë e me plot gojë një njeri që fytyrë nuk ka. Sepse vetëm një lloj monstre i tillë do të ishte i papërgjegjshëm deri në neveri, përballë pamjeve që transmetonin çdo ditë mediat për barkun monstruoz të Kristit të ndjerë që mbante brenda të keqen, e që vetëm Ilir Beqja nuk kishte sy ta shikonte.

Ai nuk kishte sy, por në të njëjtën kohë kishte gojë të artikulonte të paartikulueshmen.

“Rasti i Kristit, nuk është një rast urgjent”, është kjo deklarata e tij më e frikshme që mund të ketë dalë ndonjëherë nga goja e një ministri Shëndetësie, e bërë vjet më 17 nëntor.

Ilir Beqja vetëm për këtë deklaratë sot në një shtet normal duhej te ishte nën akuzë për vrasje me paramendim, por duke qenë se Shqipëria është ajo që është, në raport me Zotin të paktën, Ilir Beqja ka sot një mëkat që nuk e lan dot!…

Marrë nga "Syri.net"