Kryeministri Edi Rama ka pritur sot Komisionerin europian të Migrimit, Dimitris Avramopoulos, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë, në fokus të së cilës është kriza e emigrantëve të larguar nga zona në konflikt, si dhe perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Palët shprehën mendimin se kriza migratore me të cilën përballet sot Europa ka nxjerrë në pah nevojën për një përgjigje kolektive duke evidentuar rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit të përforcuar mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Rama u shpreh se Shqipëria do t’i qëndrojë besnike vlerave europiane, angazhimeve të ndërmarra për të qenë pjesë e një zgjidhjeje të përbashkët europiane kundrejt krizës së refugjatëve duke theksuar se vendimet unliaterale nuk shërbejnë në zgjidhjen e krizës.
Ndërsa Komisioneri europian i Migrimit, Dimitris Avramopoulos, shprehu vlerësimin për gatishmërinë e Shqipërisë për të dhënë kontributin e saj në një zgjidhje të bashkërenduar europiane dhe se Bashkimi Europian do ta mbështesë atë në çdo hap.
“Shqipëria nuk është vetëm, Bashkimi Europian është në krahun tuaj dhe lejomëni t'ju përgëzoj me mirënjohje që pavarësisht se ju nuk jeni një vend anëtar i BE-së, qëndrimet tuaja janë besnike ndaj vlerave e parimeve prej të cilave çdo vend anëtar i BE-së duhet të udhëhiqet në çdo qëndrim”, ka deklaruar Komisioneri Avramopoulos.





