Të dielën luhet Teuta-Partizani, një ndeshje delikate dhe me shumë rëndësi për të dyja palët. Në 3 vizitat e fundit në Durrës ka triumfuar Partizani, por përballjen e fundit mes tyre në Tiranë, fitoi Teuta me një gol të serbit Slavko Lukiç. Pikërisht për mbrojtësin është një ndeshje e veçantë, pasi ishte pranë Partizanit verën e shkuar, por më pas kaloi te Teuta. Lukiç flet për këtë sfidë për "sportal.al" , për sezonin e tij dhe të Teutës, si dhe zbulon skuadrën e preferuar në Shqipëri, natyrisht pas Teutës.
Je duke zhvilluar një sezon mjaft të mirë, e prisje të ambientoheshe kaq shpejt?
Çdo lojtar ka nevojë për kohë, kur kalon në një kampionat të ri. Megjithatë, unë kam luajtur edhe në Mal të Zi, ndaj nuk e kam pasur të vështirë. Të dielën, ndeshje tepër delikate kundër Partizanit, rival ndaj të cilit keni shënuar këtë sezon. Është një ndeshje mjaft interesante, sepse nuk jemi larg në renditje. Partizani dëshiron 3 pikë për të shpresuar te kreu, ne për Europa League, që është synimi ynë madhor. E vërtetë, isha pranë Partizanit verën e shkuar, por nuk gjetëm marrëveshje dhe shkova te Teuta. Nuk jam i zhgënjyer me Partizanin, sepse kështu funksionon futbolli, çdo lojtar e di këtë. Unë përqendrohem të jap maksimumin te skuadra që luaj, sepse jam profesionist dhe luaj për veten dhe familjen time, në radhë të parë.
Rivalët tuaj direkt, Tirana e Kukësi, ndeshen të dielën…
Ndeshje shumë e fortë, nuk pres shumë gola. Për mua Tirana është më e fortë se Kukësi, por realisht shoh vetëm rezultatet e skuadrës sime. Pa bujë e me buxhet të vogël, skuadra e re e Teutës po shkëlqen.
Cili është sekreti?
Skuadër e re, por e bashkuar dhe me një marrëdhënie të shkëlqyer me trajnerët. Magani e Dervishi janë njerëz të mirë, gjithnjë të qeshur. Gashi kupton shumë nga futbolli dhe në radhë të parë është psikolog. I trajton të gjithë si fëmijët e tij, ky mendoj se është sekreti i kësaj skuadre.
E ardhmja juaj, Teuta, Superiorja apo ndonjë kampionat më cilësor?
Kontrata ime mbaron në fund të sezonit, por nëse shkojmë në Europë mund të qëndroj. Në këtë moment kam kontakte me klube të ndryshëm, por është ende herët. Nga klubet shqiptare më pëlqen Skënderbeu, e ndjek kur luan në Europë, është skuadra që luan më mirë në Shqipëri.