Ndërsa në Tiranë, Partia Socialiste e ka bërë të qartë se, nëse nuk miratohet reforma në drejtësi, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, nga Uashingtoni, kryetari i PD, Lulzim Basha, deklaron se kjo dilemë nuk ekziston për opozitën. "Edhe reformën në drejtësi edhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Reformën në drejtësi për të vënë para përgjegjësisë, para ligjit zyrtarët e korruptuar, për të vënë para ligjit kriminelët me lidhje me pushtetin, të cilët bashkërisht shkelin ligjin duke i imponuar qytetarëve një tirani dhe duke qëndruar për vete me privilegjet e tyre, me korrupsionin e tyre mbi ligjin dhe jashtë ligjit sot e gjithë ditën.dhe nga ana tjetër zgjedhje të lira dhe të ndershme për të vënë para përgjegjësisë keqqeverisjen e këtyre tre viteve. Pra, dilema nuk është reformë në drejtësi apo zgjedhje të parakohshme. Edhe reformë në drejtësi, edhe zgjedhje të lira e të ndershme,” – ka deklaruar Basha për mediat.
Sipas Bashës, testi i parë për kryeministrin Edi Rama që të tregojë se vërtet e dëshiron këtë reformë është ngritja e Byrosë së Hetimit. "Sot që Komisioni i Venecias është shprehur qartë, prova, barra e provës është në anën e Edi Ramës. Nëse është gati për reformën në drejtësi, testi i parë është Byroja Kombëtare e Hetimit. Është së pari miratimi i akteve kushtetuese dhe ligjore për t’i hapur rrugë kësaj vegle që lufton korrupsionin në nivele të larta," – ka theksuar kryeiari i PD.





