Partia Demokratike ka lënë sot Kuvendin e Shqipërisë, pak minuta pasi kryetari i Grupit Parlamentar Edi Paloka ka bërë të ditur qëndrimin e tyre politik në lidhje me dekriminalizimin.
“Amendamenti që ne kemi sjellë për dekriminalizimin lidhet pikërisht me një nga këto raste, kërkon një gjë elementare, që zyrtarë, deputetë që janë kapur në flagrancë me krime të rënda ndaj jetës së njeriut, deri në një vendim gjykate, të mos vazhdojnë të kryejnë funksione zyrtare.
Nuk di a ka njeri që mund t’i dalë kundër, veç Edi Ramës. Unë e di që ai ka dhënë urdhër të mos e miratojnë këtë. Një njeri i tillë nuk miraton ligje kundër krimit, ligj që e votoi i detyruar dhe të nesërmen bëri paradë me ata për të thënë se “ligjin e miratova, po juve nuk ju lëshoj!”
Ai, paktin nuk e ka me qytetarët, por me krimin, qeverinë e ka me Prengët dhe Kokëdhimët, ndaj tyre as nuk ju shkon ndër mend të shohin interesat e qytetarëve se presin që nesër me kriminelë e me para të pista, t’ua marrin prapë votën qytetarëve. Nuk mund të vazhdojmë të marrim pjesë në aktet që vazhdojnë t’i shërbejnë grabitjes së qytetarëve”, deklaroi Paloka.





