Ndërkohë që janë përfshirë në një vorbull polemikash në lidhje me ndeshjen e së hënës, Partizani dhe Skënderbeu marrin ndëshkime financiare nga Komisioni i Disiplinës jo për atë që ndodhi në fushën e blertë, por në shkallët e stadiumit.
Kështu, klubi i kuq është ndëshkuar me një gjobë prej 200 mijë lekësh për sjelljen e gabuar të spektatorëve të tij, por nuk përfundon këtu, pasi njëkohësisht ka marrë nga organi i FSHF-së edhe një paralajmërim se në rast përsëritjeje të kësaj shkeljeje, masat disiplinore ndaj tij do të përshkallëzohen. Nuk i ka shpëtuar vëmendjes së Disiplinës edhe Skënderbeu që është dënuar me një gjobë më të vogël, 30 mijë lekë, për sjelljen e gabuar të spektatorëve korçarë që kanë dëmtuar stolat në shkallët e stadiumit. Komisioni i Disiplinës është mjaftuar me kaq për ndeshjen e së hënës, pa marrë ndonjë vendim tjetër në lidhje me episodet e fushës së blertë, ndërkohë që për sa i përket Kategorisë Superiore objekt i tij është bërë dhe futbollisti i Laçit, Kevin Bardhi.
Lojtari që u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari Emirjon Sino në minutat e fundit të ndeshjes me Teutën për një ndërhyrje ndaj Lukic, është dënuar me 5 ndeshje pezullim nga aktiviteti për sjellje të keqe ndaj kundërshtarit. Nuk i kanë shpëtuar disiplinorit edhe protagonistët e zënkës në ndeshjen Kamza- Korabi të Kategorisë së Parë me futbollistët Alfred Deliallisi dhe Sokol Mziu që për goditje ndaj njëri-tjetrit janë ndëshkuar me nga 5 ndeshje pezullim.