Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka kritikuar ashpër gjykatat në vendin tonë, duke pohuar se situata në sistemin e drejtësisë është e jashtëzakonshme pikërisht nga sjellja që kanë gjykatat.
Gjatë takimit të mbajtur në qytetin e Durrësit, e organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme mbi dënimet alternative, Manjani tha se janë pikërisht gjykatat përgjegjëse për grabitjen e pronave publike, sidomos ato në bregdet.
“Nuk kam ndërmend të komentoj asnjë vendim tuajin të drejtësisë, por as nuk kam ndërmend të toleroj asnjë fenomen. Në katër muaj detyrë, ndaj me ju konsiderata jo të këndshme. Opinioni publik shkruan dhe ankohet për ju. Nuk ka qeverisje të mirë pa drejtësi. Zullimi dhe problemi i qeverisë thellohet kur ju nuk e bëni detyrën. Janë mijëra sipërfaqe toke të grabitura për të cilat gjykatat heshtin apo në rastin më të keq e legalizojnë. Jam këtu për të respektuar çdo vendim të pavarur gjykate, por asnjë tolerancë për një gjyqtar apo gjykatës që del në drejtim të paditur. Nëse grabitja e etikës ndodh nëpërmjet falsifikimit, është një histori që nuk tregon shtet por maskarallëk. Ky gjykatës bëhet pjesë e një krimi”, deklaroi kreu numër një i Drejtësisë.
Manjani theksoi se do të nisë një investigim për Gjykatën e Vlorës, për të cilën u shpreh se është në një drejtim të paditur. “Më shumë besohet qeveria se gjykata, pasi kjo e fundit është në drejtim të paditur, kjo është situata”, tha Manjani.





