52 milionë lekë të vjetër është llogaritur fondi i parashikuar për përfundimin e punës së asgjësimit të fletëve të votimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të nisë këtë të martë procesin e asgjësimit, ku do të punojë një ekip prej 45 personash.
“Shqiptarja.com” shkruan se për këtë qëllim, do të përdoret metoda e djegies për fletët e votimit, prandaj është blerë një sasi prej 600 litrash benzinë për asgjësimin e tyre. Neni 178 i Kodit Zgjedhor, përcakton detyrimin ligjor që KQZ ka për të hapur të gjitha kutitë e votimit dhe kutitë e materialeve zgjedhore, gjashtë muaj pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datës 10 gusht 2015, ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore, të datës 21 qershor 2015. Në këto kushte, KQZ nga data 10 shkurt duhet të fillonte procesin e hapjes së kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore, seleksionimin dhe sistemimin e këtij dokumentacioni, të gjetur brenda tyre, si dhe dërgimin e tyre në Arkivin Qendrore të Shtetit si detyrim ligjor.





