Kryetari i Kuvendi, njëkohësisht edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka deklaruar sot nga Gjirokastra se nuk është aq pesimist sa socialisti Pandeli Majko dhe se nuk mendon se do të kemi zgjedhje të parakohëshme, për shkak të faktit se reforma në drejtësi mund edhe të mos miratohet. Në fakt, Ilir Meta mbetet optimist se reforma në drejtësi do të miratohet. "Jam i bindur se reforma do të miratohet, për arsye se të gjitha forcat politike kanë shprehur vullnetin për përmbushjen e reformës," – tha Meta në Gjirokastër.
"Së dyti, të gjithë kanë rënë dakort që standartet evropiane të kësaj reforme i përcakton Komisioni i Venecias, i gjithëpranuar nga të gjithë dhe ky Komision ka folur mjaft qartë për të gjitha çeshtjet ndaj të cilave janë kërkuar sqarime, interpretim, opinione apo vlerësime… Komisioni i Venecias mendoj se i ka zvogëluar jashtëzakonisht dallimet dhe diferencat, kështu që ka vend për optimizëm," – ka shtuar Meta.





