Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është nisur sot për një vizitë në SHBA, ku do të takohet me zyrtarë të lartë të administratës dhe politikës amerikane. Basha shoqërohet nga një delegacion i përbërë prej deputetëve Gent Strazimiri, Jorida Tabaku dhe Eduart Selami si dhe kryetarin e Partisë Republikane Fatmir Mediu. Vizita e liderit të opozitës në SHBA përkon me 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
Sfidat e Shqipërisë për ndërtimin e një demokracie funksionale dhe shtetit të së drejtës si zbatimi i reformës së Dekriminalizimit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe reforma në drejtësi do të jenë në qendër të axhendës së kreut të opozitës në SHBA. Po kështu pritet që gjatë takimeve me zyrtarët e lartë amerikanë të diskutohet edhe për qëndrimet e Partisë Demokratike për nxjerrjen e Shqipërisë nga kriza dhe për programin dhe alternativat qeverisëse të demokratëve.





